Menaxhmenti i UKZ-së priti përfaqësuesit e projektit ALLED II

15 Shkurt, 2022

Prorektori për Mësim, Kërkime Shkencore dhe Çështje të Studentëve në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan,  Prof. Asoc. Dr. Xhevdet Thaqi dhe drejtoresha e zyrës për Zhvillim Akademik dhe Cilësi PhD. Cand. Fitore Malaj Avdyli,  pritën në takim udhëheqësit e Projektit ALLED II (“Harmonizimi i Arsimit dhe i Aftësimit me Nevojat e Tregut të Punës – ALLED Faza II”) , Dr. Anton Gojani dhe Prof. Dr. Ferdije Zhushi, për të rënë dakord për themelimin e grupit punues, i cili do të jetë përgjegjës për hartimin dhe formalizimin e shtojcës së diplomës.

Projekti ALLED II është vazhdim i projektit ALLED I, i cili financohet nga BE dhe nga qeveria Austriake dhe këto ditë ka filluar implementimin e aktivitetit ”Përkrahja e procedurave te IAL-ve në implementimin dhe automatizimin e diploma supplementit (Shtojcës së Diplomës)”, i cili ka për qëllim zhvillimin e Shtojcës së Diplomës dhe lëshimin e saj në mënyrë automatike në të gjitha Universitetet publike në Kosovë. Shtojcat do të jenë konform standardit të kërkuar evropian sipas sistemit të Bolonjës dhe do të ofrohen në të dy gjuhët, në shqip dhe anglisht përkatësisht.

Shtojca e diplomës do të bëhet për secilin program veç e veç, që do të përfshijë përshkrimin e gradës dhe kompetencën e fituar të studentit. Dokumenti në fjalë, planifikohet të jetë në dispozicion të studentëve gjatë këtij viti akademik.

Menaxhmenti i UKZ-së u dakordua me udhëheqësit e projektit ALLED II për të përfituar ndihmë teknike dhe profesionale lidhur me përgatitjen e shtojcës së diplomës për të gjitha programet e akredituara të Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan.