Agjencia e Kosovës për Akreditim me mbështetjen e projektit ALLED2 lansuan platformën e-akreditimi

15 Tetor, 2020

Agjencia e Kosovës për Akreditim me mbështetjen e projektit ALLED2 lansuan platformën e-akreditimi.

Kjo paraqet edhe një hap më afër digjitalizimit të Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë ne Kosove!

Projekti ALLED2 synon të mbështesë qasjen e strukturuar innovative, bazuar në parimin e spirales së trefishtë -triple helix – (qeveria- akademia – biznesi) duke ndërtuar një sistem të Arsimit dhe Aftësimit, që i përgjigjet nevojave të tregut të punës dhe kontribuon në rritjen ekonomike dhe zhvillimin e punësimit te përgjithshëm. Në këtë frymë, me rastin e lansimit të platformës e-akreditimi, projekti ALLED2, në bashkëpunim me Agjencinë Kosovare për Akreditim, ka organizuar trajnimin mbi përdorimin e kësaj platforme për te gjitha institucionet e Arsimit të Lartë në Kosovë.

Sipas rregullave dhe procedurave të Agjencisë së Kosovës për Akreditim, Institucionet e Arsimit të Lartë dhe Stafi i tyre Akademik (Profesorët) janë të obliguar të kenë qasje dhe regjistrim përmes sistemit të aplikimit online, të mundësuar nga platforma e-akreditimi.

e-akreditimi është një platforme e Agjencisë se Kosovës për Akreditimit (AKA) për lehtësimin e procesit të akreditimit dhe riakreditimit të Institucioneve të Arsimit të Lartë, të cilët regjistrohen dhe sigurojnë informacionin e kërkuar në kohe reale.

Sistemi e-akreditimi lehtëson mundësinë e dorëzimit dhe administrimit online të dokumenteve të aplikimit për procesin e akreditimit dhe ri-akreditimit siç janë: regjistrimi i Institucioneve te Arsimit te Larte; kërkesat për aplikime për akreditim; aplikime për staf akademik (Profesorë);programet e studimit; dokumentacioni administrative dhe financiar; informacionet për Bordin; dokumentet e procesit të vlerësimit të jashtëm; Vendimet, raporte dhe statistika të rregullta etj.

Ne fjalën hyrëse, Dr. Anton Gojani, Koordinator për Sigurim të Cilësisë dhe Arsim të Lartë u shpreh se ALLED2 mbështet efikasitetin, digjitalizimin, aplikimin e Internetit të Gjërave (Internet of Things) dhe transparencën në Arsim dhe Aftësim në Kosovë, duke përmbushur standardet me të larta arsimore.

Drejtori i AKA-së falënderojë projektin ALLED2 për mbështetjen, dhe i sigurojë institucionet e Arsimit të Lartë publik dhe privat se, AKA do të vazhdojë të mbështesë me lehtësim të procedurave të aplikimit për akreditim dhe riakreditim, si dhe do te fuqizojë rritjen e efikasitetit dhe transparencës së shërbimeve të Agjencisë së Akreditimit.