Studentët e Fakultetit të Edukimit kanë prezantuar hulumtimin”Pandershmëria Akademike – Kopjimi”

Studentët e Fakultetit të Edukimit të Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan, Albulent Spahiu, Aurora Brahimi, Blerta Abdullahu, Esra Murati, Diana Lecaj, Edona Krasniqi, Mefadije Hyseni, Arlinda Zenuni, Blerta Avdiu, Adelina Ramadani, Fatlume Rexha  në bashkëpunim me Prof. Ass. Mensur Neziri, kanë prezantuar hulumtimin”Pandershmëria Akademike – Kopjimi”.

Me këtë rast Bajram Kosumi, Rektori i Universitetit “Kadri Zeka” tha se  kopjimi/mashtrimi në provime, si problem kudo në fakultete, është një temë e shpeshtë diskutimi për mësimdhënësit dhe drejtuesit e arsimit, por duhet të bëjmë përpjekje për të gjetur përgjigje në pyetjen – A do të ndalojnë ndonjëherë studentët me mashtrime/kopjime? Sipas rektorit Kosumi, ky hulumtim i studentëve është një nismë mjaft e mirë, sepse të gjithë duhet ta dimë se kopjimi aspak nuk është i pranueshëm  në konkurrencën e tregut të punës. Rektori ka inkurajuar studentët që të vazhdojnë të punojnë në hulumtim të dukurive jo akademike.

Kurse  Dekani i Fakultetit të Edukimit Januz Dërvodeli tha se qëllimi i këtij studimi është që të eksplorojë dhe të masë nivelin  e pandershmërisë akademike / kopjimin e studentëve në Fakultetet e Edukimit të Universiteteve publike në Kosovë dhe të bëjmë rekomandimet përkatëse.

Ndërsa studentët të cilët kanë punuar rreth hulumtimit “Pandershmëria Akademike – Kopjimi”, thanë se në këtë  hulumtim që u zhvillua në periudhën kohore nga 20.02.2017 deri 27.03. 2017, kanë marrë pjesë 440 anketues.

Rëndësia e studimit sipas studentëve hulumtues,  ka të bëjë me identifikimin e nivelit dhe fushave të mashtrimit/kopjimit, hulumtimi u tregon mësimdhënësve dhe studentëve se cilat janë mundësitë për një mësimdhënie më cilësore dhe se studim është i një rëndësie të veçantë, pasi u tregon mësimdhënësve të fakultetit të edukimit se sa  inovative janë syllabuset për lëndët.

Gjithnjë sipas studentëve hulumtues, objektivat e këtij studimi janë identifikimi i nivelit dhe mënyrave të kopjimit të studentëve në provime, identifikimi i shkaqeve të kopjimit, fushat -lëndët më të rrezikuara nga kopjimi, etj.

Sipas hulumtimit duke filluar me pyetjen se – A keni kopjuar në provim?, vërejmë se 71% e studentëve pranojnë se kanë kopjuar në provime, ndërsa vetëm 29 % e të anketuarve  deklarojnë se nuk kanë kopjuar në provime.

Nga Rezultatet e hulumtimit mund të thuhet  se  përqindja më e lartë e kopjimit 64 % është ajo prej 1-3 herë,  ndërsa më e ulta me  17 %  përfshin mbi 7 herë të kopjimit dhe përqindja e mbetur  19% përfshin kopjimin 4-6 herë.

Arsyeja pse kopjojnë studentët nëpër provime sipas hulumtimit del se mund të jenë nga më të ndryshmet,  rezultatet e hulumtimit tregojnë se 32% e studentëve kopjojnë për shkak se nuk arrijnë të përgatiten për provim, 31% e tyre kopjojnë sepse materialet për lëndën sipas tyre janë të thata dhe jo atraktive, ndërsa 11% e tyre kopjojnë sepse nuk dënohen edhe nëse kopjojnë, dhe pjesa tjetër me përqindje prej 26% kopjojnë për arsye tjera.

Sipas hulumtimit ekzistojnë disa mënyra të kopjimit, por duke u nisur nga rezultatet vërejmë se mënyra më e shpeshtë është ajo e bashkëbisedimit me një përqindje prej 46%, pastaj një përqindje të barabartë kanë kopjimi përmes letrave dhe shkrimit në banka në përqindje prej 20%, ndërsa 13% e studentëve përdorin telefonin si mënyrë për të kopjuar dhe vetëm 6% e studentëve përdorin mënyra të kombinuara si p.sh bashkëbisedim dhe telefon ose bashkëbisedim dhe letra etj.

Gjatë hulumtimit studentët e anketuar janë pyetur, nëse janë zënë duke  kopjuar. Nga këto rezultate mund të  përfundojmë se përqindja më e lartë, pra 83% e studentëve nuk janë zënë duke kopjuar dhe vetëm 17% e tyre janë zënë duke kopjuar.

Kurse sa i përket pyetjes se a janë dënuar edhe nëse janë zënë duke kopjuar? Nga përqindja e përgjigjeve vërejmë se : 73% e studentëve nuk  janë dënuar. Ndërsa pjesa tjetër me 27% janë përgjigjur se janë shqyrtuar masa disiplinore ndaj tyre. A kanë provuar ata të kopjojnë sërish edhe nëse janë zënë duke kopjuar, 71% e studentëve nëse janë hetuar se po kopjojnë nuk kanë vazhduar të kopjojnë më, ndërsa 29% e tyre kanë tentuar të kopjojnë përsëri.

Kopjimi është një fenomen që duhet luftuar ndoshta duke u nisur edhe nga ndjenjat e vetë studentëve  e sidomos nëse hetohen duke kopjuar gjë që duhet ndërmarrë masa për ndërgjegjësim ku sipas rezultateve të hulumtimit “Pandershmëria Akademike – Kopjimi”, 46% e studentëve nuk ndjehen mirë nëse hetohen duke kopjuar, 42% thonë se ndihën jo mirë, por kaluese dhe vetëm 12% e tyre thonë se ndihen njëjtë edhe nëse hetohen duke kopjuar. Sipas të anketuarve, kopjimi mund të përjetohet edhe  si mashtrim ndaj profesorit dhe lehtësim për studim në masën prej 39 % dhe 22% përjetohet ndryshe ku kemi arsye tjera si arritje më e shpejtë e kryerjes së provimeve.

Nga hulumtimi mund të thuhet se kopjimi padyshim që është i pranishëm, por a mund të kopjohet në secilën lëndë?, sipas rezultatit mund të  përfundojmë se 83% e studentëve përgjigjen se nuk  mund të kopjojnë në secilën lëndë dhe vetëm 17% prej tyre përgjigjen se mund të kopjojnë në secilën lëndë.

Studentët e grupit punues të hulumtimit “Pandershmëria Akademike – Kopjimi”, kanë ardhur në përfundim ku sipas tyre, kopjimi është një dukuri e cila po shfaqet në masë të madhe dhe po përkrahet nga studentet për arsye të ndryshme si: mos përgatitja e duhur në provim, lënda jo atraktive, profesori jo bashkëpunues, mungesa e formave tjera të vlerësimit.

Sipas studentëve format më të shpeshta të kopjimit siç janë: bashkëbisedimi,përdorimi i teknologjisë,shkrimi në banka, e të tjera po përdoren si mënyra për të kaluar më shpejtë provimet si dhe për te arritur rezultate më të mira krahasuar me studentët të cilët nuk përdorin pandershmërinë akademike. Mungesa e masave të ndërmarra për të dënuar  ose masat e lehta ndëshkuese për studentet që kopjojnë janë ndoshta një shtysë për vazhdimin e këtij fenomeni.

Marrëdhëniet student-profesor nuk janë në atë nivel që studentet të ndihen të lirë të shprehin pakënaqësitë e tyre qoftë lidhur me lëndën ose vet profesorin sepse pason hakmarrja në nota ose edhe në moskalim te provimit,si dhe deri në humbjen e të drejtës për të qenë i pranishëm në provim për disa afate radhazi.

Duke u bazuar në rezultatet e hulumtimit studentët e grupit hulumtues kanë nxjerrë edhe disa rekomandime: materialet të jenë adekuate, mësimdhënia të jetë atraktive, të bëhet rifreskimi i syllabuseve, provimi final mund të mos jetë forma kryesore dhe e vetme e vlerësimit të angazhimit të studentit, të organizohen edhe provime me gojë, profesorët të jenë korrekt në ligjërata, ushtrime, konsultime dhe shpallje të rezultateve, datat e provimeve të mos jenë diskutabile, sallat të jenë adekuate për numrin e studentëve, të ketë numër të mjaftueshëm të mbikëqyrësve në provime, të ndëshkohen pandershmëritë akademike, masat e ndëshkimit në rast se zihen duke kopjuar të jenë më të rrepta.