Përfaqësues të zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Ministrisë së Integrimit Evropian, kanë qëndruar në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, për ti njoftuar studentët për hapjen e konkursit për raundin e 11-të të aplikimit për Skemën e Celulës së të Rinjve, programi i BE-së për bursa post-diplomike për Kosovë, program i cili aktualisht është duke u implementuar nga British Council.
Ata janë pritur nga Prorektorja për çështje akademike Shpresë Qamili dhe Sekretari i Përgjithshëm Vaxhid Sadriu. Prorektorja Qamili u ka dëshiruar suksese përfaqësues të zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Ministrisë së Integrimit Evropian, në implementimin e programit, të cilin e ka vlerësuar shumë të rëndësishëm dhe në interes të studentëve të Universitetit “Kadri Zeka”.
Ndryshe aplikimi për bursa do të jetë i hapur nga 15 janari deri më 5 shkurt 2018. Kandidatëve të suksesshëm do t’iu ofrohet mundësia të aplikojnë për Programe Master në universitete të shteteve anëtare të BE-së.
Sipas zyrtarëve, programi i bursave, gjuha e punës e së cilit është vetëm gjuha angleze, do të ofrojë deri në 45 bursa të plota. 10% e këtyre bursave do të jetë e rezervuar për shërbyesit civil që janë të punësuar në administratën publike (numri real i bursave të ofruara mund të ndryshoj varësisht nga përshtatshmëria e kandidatëve dhe fondet në dispozicion).
Kjo ftesë do të jetë e hapur për studentët e diplomuar në fakultetet si: juridik, shkenca politike, menaxhment i biznesit, shkenca shoqërore, histori, shkenca humane, marrëdhënie ndërkombëtare, diplomaci, kriminologji dhe fusha të tjera akademike (siç është specifikuar në Rregullat e Procedurës që do të publikohen më 15 janar 2018) në përputhje me sektorët e specializimit në vijim: Juridik, Administratë Publike, Ekonomik.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan