Studentët e vitit të tretë të Fakultetit të Shkencave Kompjuterike në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, Vesa Ibrahimi, Rukije Ajeti, Tringa Syla, Dorarta Syla dhe Blend Halimi, më datë 27 janar 2025, prezantuan Platformën për Identifikimin e Jetimëve dhe Zhvillimin në Karrierë (PIJZHK), të zhvilluar në kuadër të lëndës Projekti SEW, nën udhëheqjen e Prof. Asoc. Dr. Lindita Nebiu Hyseni.
Ky projekt ka si qëllim ofrimin e mundësive për jetimët, duke u mundësuar atyre të marrin trajnime profesionale dhe certifikata, të cilat do t’u hapin mundësi për punësim. Platforma u mundëson jetimëve aplikimin për trajnime të ofruara nga profesorët e universitetit, të cilat zhvillohen në përputhje me kërkesat e bizneseve. Po ashtu, universiteti rekomandon jetimet për punësim në kompanitë bashkëpunuese dhe monitoron punësimin e tyre për të matur efektet e trajnimeve në tregun e punës.
Ky projekt është një hap i rëndësishëm në realizimin praktik të ideve të menaxhimit të universitetit dhe kontribuon drejtpërdrejt në mbështetje të jetimëve, duke hapur mundësi për përfshirjen e tyre në shoqëri. Platforma, e realizuar në formë elektronike, përmirëson proceset ekzistuese të identifikimit të jetimëve dhe ndihmon në zhvillimin e karrierës së tyre profesionale.
Në përfundim të prezantimit, Prof. Asoc. Dr. Lindita Nebiu Hyseni vlerësoi punën e palodhur të studentëve dhe theksoi rëndësinë e këtij projekti për përgatitjen e studentëve për tregun e punës. Ajo shprehu besimin se Platforma për Identifikimin e Jetimëve dhe Zhvillimin në Karrierë do të shërbejë si një model frymëzues për studentët e ardhshëm dhe stafin akademik. Ajo theksoi se ky projekt ka një rëndësi të veçantë për jetimët e Kosovës, pasi jo vetëm që tregon aftësitë e studentëve, por gjithashtu thekson mbështetje institucionale për të mundësuar arritje të jashtëzakonshme për jetimët, pavarësisht sfidave që ata hasin në jetën e tyre.
Ky projekt shënon një pikë kulmore jo vetëm në karrierën akademike të studentëve, por edhe në aspektin shpirtëror, duke vendosur një standard të ri për projekte të ardhshme që ndihmojnë kategori të ndryshme shoqërore në Kosovë.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan