Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka”, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, së bashku me një delegacion të tij, po qëndron për një vizitë zyrtare në Gjermani, ku ka zhvilluar takime të rëndësishme me përfaqësues të institucioneve akademike gjermane.
Në kuadër të kësaj vizite, delegacioni nga UKZ ka vizituar Werkstatt Berufskolleg, me seli në Unna/Dortmund, ku janë diskutuar mundësitë për nënshkrimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi ndërinstitucional.
Qëllimi i këtyre takimeve është avancimi i proceseve të ndërkombëtarizimit të arsimit në Universitetin Publik “Kadri Zeka”, duke synuar rritjen e cilësisë akademike dhe krijimin e mundësive të reja për studentët dhe stafin akademik e administrativ.
Gjatë vizitës në Gjermani delegacioni i UKZ-së është fokusuar në fusha të rëndësishme bashkëpunimi si në shkëmbimin e studentëve dhe stafit në kuadër të programeve arsimore dhe trajnimeve profesionale, në zhvillimin e projekteve të përbashkëta kërkimore e shkencore në fusha me interes të ndërsjellë, në organizimin e konferencave, punëtorive dhe seminareve ndërkombëtare për shkëmbimin e përvojave akademike dhe promovimin e hulumtimit shkencor, po ashtu është diskutuar për bashkëpunimin në hartimin e programeve të përbashkëta dhe modernizimin e ofertave akademike, në përputhje me standardet ndërkombëtare të arsimit të lartë, me theks të veçantë në shkencat e shëndetit, shkencat kompjuterike dhe ato sociale.
Përmes këtij partneriteti të ri, UKZ thekson përkushtimin për të ndërtuar ura bashkëpunimi me institucione prestigjioze ndërkombëtare, duke kontribuar në rritjen e profilit të tij ndërkombëtar dhe në ofrimin e një arsimi cilësor për studentët dhe stafin universitar.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan