Vizitë zyrtare e Dekanit të FSHK-së në SHBA

19 Nëntor, 2022

Dekani i Fakultetit të Shkencave Kompjuterike, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku , me ftesë zyrtare nga Prof. Dr. Zargari, i cili është kryetar i Bordit të Akreditimit “The Association of Technology, Management, and Applied Engineering (ATMAE)”, ka qëndruar në një vizitë në Kentucky të SHBA-së nga data 9-11 Nëntor 2022. ATMEA është agjenci homologe e AKA-së, e cila mbulon me akreditim gjithë Shtetet e Bashkuara të Amerikës në fushën e teknologjisë, menaxhmentit dhe inxhinierisë aplikative.
Gjatë vizitës së Dekanit Dërmaku së bashku me anëtarët e bordit të Akreditimit ATMEA, është diskutuar mundësia e akreditimeve të programeve teknologjike të UKZ-së nga ATMAE, e cila do t’i bënte këto programe të njohura ndërkombëtarisht, pasi që ATMAE
është e njohur nga Këshilli i Akreditimit të Arsimit të Lartë (CHEA) dhe është anëtare e Shoqatës së Akredituesve të Specializuar dhe Profesionistë në SHBA, për të gjitha programet teknologjike.

Dekani Artan Dërmaku, u njoftua për së afërmi edhe me procedurat, rregulloret dhe ishte pjesëmarrës direkt në mbledhjet e hapura kur shumë Universitete dhe Kolegje nga SHBA u akredituan nga ATMAE, të cilat do t’i ndihmojnë jashtëzakonisht shumë FSHK-së me rastin e aplikimit për Akreditim të programeve kompjuterike të FSHK-së në SHBA e me këtë rast automatikisht ndërkombëtarisht të njohura nga CHEA. Përfitimi dhe qëllimi kryesor i pjesëmarrjes në këtë konferencë, përveç të gjitha pikave të lartcekura, është prezentimi i FSHK-së para Bordit të Akreditimit të ATMAE, si dhe pranimi nga ky Bord, që ne si FSHK të bëjmë aplikimin e programeve tona për marrjen e Akreditimit nga kjo agjenci, e që rrjedhimisht hap rrugën drejt njohjes së diplomave të UKZ-së , përkatësisht FSHK-së në SHBA si në aspektin akademik ashtu edhe të punësimit, por edhe ndërkombëtarisht, pasi që me automatizëm do të jenë programe të njohura nga CHEA.
Gjithashtu Dekani Dërmaku, ka ndjekur disa seminare trajnimi për akreditim nga ATMAE, përfshirë trajnimin për raportin e vetë-vlerësimit dhe trajnimin për të ndihmuar Institucionet në përgatitjen e procesit të akreditimit nga ATMAE. Për këto trajnime dhe seminare Dekani Dërmaku është certifikuar zyrtarisht si ekspert i akreditimit në ATMAE.
Gjatë procesit të akreditimit, paralelisht është mbajtur edhe konferenca e ATMAE-së ku kanë marrë pjesë fakultete dhe profesionistë nga kolegjet dhe universitetet, si dhe organizatat e industrisë, nga të gjitha Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aktivë në fusha të ndryshme të teknologjisë, menaxhimit dhe inxhinierinë e aplikuar. Ne si FSHK kemi shfrytëzuar mundësinë e takimeve me pjesëmarrës të tjerë ku është biseduar për bashkëpunime të ndryshme si dhe programe eventuale të përbashkëta, por edhe për mundësinë e mobilitetit për studentë dhe stafin tonë.

Ndryshe Prof. Zargari me rekomandimin e Agjencisë së Kosovës për Akreditim, në maj të këtij viti ka vizituar Fakultetin e Shkencave Kompjuterike në UKZ, si dhe ka mbajtur një ligjëratë për studentët e Fakultetit të Shkencave Kompjuterike.
AKA, duke marrë parasysh se vitin e kaluar programet e Fakultetit të Shkencave Kompjuterike të UKZ kishin performancën më të mirë në Republikën e Kosovës, pasi që jemi të vetmit që kemi marrë akreditim 5 vjeçar në fushën e shkencave kompjuterike, i ka rekomanduar dr. Zargarit që të mbajë një ligjëratë me studentët dhe stafin akademik të Fakultetit të Shkencave Kompjuterike dhe të Universitetit, ku është diskutuar për rëndësinë e studimeve në fushën e teknologjisë dhe inxhinierisë.

Më shumë informacion rreth konferencës mund të gjeni në www.atmae.org/conference