Ekipi i AKA-së ka qëndruar në UKZ në kuadër të procedurës së Pas-Akreditimit

30 Qershor, 2025

Më 25 qershor 2025, në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan u zhvillua një vizitë zyrtare nga Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA), në kuadër të procedurës së Pas-Akreditimit për dy programe studimi në Fakultetin e Edukimit: “Arsimi Parashkollor” dhe “Mësimdhënia e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe”.

Vizita u realizua nga Ekipi i Ekspertëve të AKA-së, i përbërë nga Prof. Dr. Milan Pol, Prof. Dr. Dhurata Shehri, si dhe nga Zyrtaret e Larta për Procedurat e Pas-Akreditimit, znj. Fjollë Ajeti dhe znj. Elza Merovci. Qëllimi i vizitës ishte të vlerësohej progresi dhe përmbushja e rekomandimeve të dhëna gjatë procesit të akreditimit, si dhe të sigurohej që programet akademike vazhdojnë të përmbushin standardet e përcaktuara të cilësisë.

Vizita nisi me një takim me menaxhmentin e Fakultetit të Edukimit, ku në këtë takim u diskutuan çështje strategjike dhe organizative, përfshirë misionin dhe vizionin e njësisë, nevojën për shtim të stafit akademik dhe administrativ, planifikimin e zhvillimit afatgjatë, burimet financiare dhe ndërlidhja me tregun e punës.

Pastaj pati një vizitë në ambientet fizike dhe infrastrukturën universitare, me qëllim të vlerësimit të kushteve në të cilat zhvillohet mësimdhënia dhe mbështetja për studentë dhe staf.

Më pas u mbajtën takime të ndara me stafin akademik dhe bartësit e programeve, ku u trajtuan aspektet didaktike dhe metodologjike të mësimdhënies, përmbajtja e kurrikulave, përfshirja e kurseve bashkëkohore, zhvillimi profesional i stafit, proceset e sigurimit të brendshëm të cilësisë dhe përmirësimet e bëra në vijimësi.

Gjatë takimit me studentët e të dy programeve, studentët ndanë përvojat e tyre të studimit, përfitimet akademike dhe praktike që kanë marrë nga programet, dhanë sugjerimet e tyre për përmirësimin e mëtejshëm të cilësisë së studimeve.

Ekspertët theksuan rëndësinë e dokumentimit të qartë të të gjitha veprimeve përmirësuese dhe bazimit të raportit të progresit në prova konkrete, të mbështetura me shtojca dhe evidenca përkatëse.

Kjo vizitë është një dëshmi e angazhimit të UKZ-së për ofrimin e arsimit të lartë me cilësi të lartë, në përputhje me standardet kombëtare dhe ndërkombëtare.