Në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan është mbajtur vizitë nga ekipi i ekspertëve ndërkombëtar për ri/akreditimin e programeve të Fakultetit Ekonomik. Ky ekip, i cili përbëhej nga Prof. Mirjana Hladika, Prof. Kristina Petljak, Mr. Christopher Back, student ekspert, dhe përfaqësuesja nga Agjencia e Kosovës për Akreditim, Leona Kovaçi, kishte për qëllim vlerësimin e programeve Financë dhe Kontabilitet (BSc/Riakreditim) dhe Menaxhimi i Marketingut dhe Shitjeve (BSc/Akreditim).
Gjatë vizitës së tyre, ekspertët zhvilluan një sërë takimesh me grupet e organizuara nga UKZ. Fillimisht, ata u takuan me menaxhmentin e fakultetit për të diskutuar integrimin dhe funksionimin e programeve. Në vijim, u mbajtën takime me përfaqësuesit e sigurimit të cilësisë dhe stafin administrativ për të kuptuar më mirë procedurat dhe praktikat e brendshme.
Një pjesë e rëndësishme e vizitës përfshinte takimet veç e veç me bartësit e programeve Financë dhe Kontabilitet si dhe programit Marketing dhe Menaxhimi i Shitjeve. Këto takime kishin për qëllim të shqyrtonin në detaje strukturën e programeve dhe cilësinë e mësimdhënies. Përveç kësaj, ekspertët zhvilluan takime me stafin mësimdhënës, studentët aktualë, të diplomuarit (alumni), si dhe me akterët e jashtëm, përfshirë punëdhënësit, për të marrë një perspektivë të plotë mbi efektivitetin e programeve dhe përgatitjen e studentëve për tregun e punës.
Ndërkohë, ekipi i ekspertëve ndërkombëtar vizitoi ambientet e universitetit, duke përfshirë sallat e mësimit, kabinetet, bibliotekën dhe hapësirat tjera të zhvillimit të procesit mësimor. Kjo vizitë kishte për qëllim të sigurohej që infrastruktura dhe resurset e ofruara nga universiteti plotësojnë standardet e kërkuara për një proces mësimor cilësor.
Përfundimet dhe rekomandimet e ekipit të ekspertëve do të jenë kyçe për procesin e ri/akreditimit të këtyre programeve, duke ndihmuar Universitetin Publik “Kadri Zeka” në përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë së arsimit që ofron.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan