Vizita e delegacionit të UKZ-së Universitetin TUS dhe Universitetin UNWE të Bullgarisë

27 Shkurt, 2025

Një delegacion i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan i përberë nga Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte, Prof. Dr. Dukagjin Leka, së bashku me Dekanin e Fakultetit të Shkencave Sociale, Prof. Asoc. Dr. Selim Daku, dhe Prodekanin e Fakultetit Ekonomik, Prof. Ass. Dr. Lulzim Rashiti kanë zhvilluar takime të rëndësishme me përfaqësues të dy universiteteve të njohura bullgare, Universitetit Teknik të Sofjes (TUS) dhe Universitetit të Ekonomisë Kombëtare dhe Botërore (UNWE).  Ata janë takuar me Prof. Dr. Pancho Tomov nga Universiteti Teknik i Sofjes dhe Prof. Dr. Hristo Kantrandjiev nga Universiteti i Ekonomisë Kombëtare dhe Botërore. Gjatë takimit me profesorin Kantrandjiev, u diskutua mundësia e formalizimit të bashkëpunimit mes dy universiteteve, ndërsa me profesorin Tomov, u trajtua zgjerimi i mundësive për projekte shkencore të përbashkëta, që do të ndihmojnë në rritjen e kërkimit dhe inovacionit.

Diskutimet gjatë takimeve u fokusuan në avancimin e partneritetit të ngushtë ndërmjet UKZ-së dhe këtyre dy institucioneve akademike të Bullgarisë, duke përfshirë bashkëpunimin në shkrimin e projekteve të përbashkëta, si dhe realizimin e shkëmbimit akademik për studentët dhe stafin akademik dhe administrativ.

Gjithashtu, gjatë vizitës u shkëmbyen ftesa për pjesëmarrje në konferencat shkencore vjetore të organizuara nga institucionet përkatëse, të cilat do të bashkë organizohen në të ardhmen. Këto konferenca pritet të jenë mundësi të shkëlqyera për shkëmbim njohurish dhe eksperiencash në fushat e ndryshme të shkencës dhe arsimimit.

Gjatë takimeve, njëherësh është diskutuar që  UKZ, TSU dhe UNWE të shohin mundësit e  thellimit të bashkëpunimit në aplikimet për programet ndërkombëtare si Erasmus+ CBHE, Horizon Europe, International Credit Mobility (ICM), si dhe iniciativa të tjera që do të kontribuojnë në zhvillimin e përbashkët akademik dhe shkencor.