Vizita e delegacionit të UKZ-së në Savonia të Finlandës një hap strategjik për bashkëpunimin akademik dhe mobilitetin studentor

21 Shkurt, 2025

Një delegacion nga Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, i përbërë nga Rektori Prof. Asoc. Dr. Artan Dermaku dhe Prorektori për Financa dhe Infrastrukturë Prof. Dr. Naim Mustafa, kanë qëndruar në një vizitë zyrtare në Universitetin e Shkencave të Aplikuara Savonia në Finlandë, në kuadër të Konferencës Ndërkombëtare të Stafit, e mbajtur më 17-20 shkurt 2025.

Gjatë kësaj konference prestigjioze, e cila mblodhi akademikë dhe ekspertë nga universitete evropiane, u trajtuan tema të rëndësishme që lidhen me sigurinë gjithëpërfshirëse dhe qëndrueshmërinë e shoqërive për të ardhmen. Tema të tilla përfshinë menaxhimin e krizave, sigurinë ushqimore, shëndetin në punët bujqësore, si dhe rolin e artit dhe kulturës në forcimin e rezistencës psikologjike të shoqërisë.

Përveç pjesëmarrjes në sesionet e konferencës delegacioni nga UKZ-u kishin mundësinë të zhvillonin takime me profesorë, dekanë dhe drejtues të institucioneve të Savonias, duke diskutuar mundësitë për krijimin e programeve të përbashkëta akademike dhe mobilitetin e studentëve dhe stafit akademik. Diskutimet u përqendruan gjithashtu në mundësinë e përfshirjes së studentëve të UKZ-së në programet master të Savonias dhe mundësitë për aplikimin në projekte evropiane për kërkime dhe zhvillim.

Një hap i rëndësishëm i kësaj vizite ishte fillimi i përgatitjeve për nënshkrimin e një Memorandumi të Mirëkuptimit ndërmjet UKZ-së dhe Universitetit të Savonias, që synon forcimin e bashkëpunimit në fusha si digjitalizimi, inteligjenca artificiale, robotika, sitemet e kontrollit, IoT, industri ushqimore dhe agrokulturë. Po ashtu është diskutuar për mobilitetin e studentëve dhe stafit akademik, duke shqyrtuar mundësinë e vizitave studimore deri në 3 muaj në Finlandë, përmes projekteve të financuara nga Bashkimi Evropian, përfshirjes së studentëve të UKZ-së në programet master në Universitetin e Savonias, duke lehtësuar procesin e pranimit dhe eliminimin e barrierave administrative, si dhe bashkëpunimit në kërkime shkencore dhe inovacion, me synimin për të aplikuar së bashku në projekte evropiane për kërkim dhe zhvillim

Një kontribut i veçantë në këtë bashkëpunim u dha nga Profesoreshë Ardita Hoxha-Jahja, e cila luajti një rol kyç në organizimin e takimeve dhe krijimin e mundësive për studentët nga Kosova që të studiojnë në Savonia. Përkushtimi i saj për të ndihmuar studentët kosovarë të kenë qasje në arsim cilësor ndërkombëtar është i një rëndësie të madhe për UKZ-në dhe komunitetin akademik. Ky bashkëpunim përbën një mundësi të shkëlqyer për studentët dhe stafin akademik të UKZ-së, duke ofruar mundësi për përvoja akademike ndërkombëtare dhe zhvillim profesional.

Vizita dhe takimet e realizuara në Universitetin e Savonias përfaqësojnë një hap të rëndësishëm për ndërkombëtarizimin e UKZ-së, duke krijuar mundësi të reja për studentët dhe stafin akademik.