Universiteti Publik “Kadri Zeka” shënoi 12-vjetorin e themelimit

6 Mars, 2025

Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan ka festuar sot 12-vjetorin e themelimit të tij me një ceremoni solemne, ku morën pjesë personalitete të rëndësishme nga jeta akademike, institucionale dhe politike, si dhe studentë, profesorë dhe përfaqësues të institucioneve publike.

Ceremonia filloi me intonimin e himnit Kombëtar, himnit të Kosovës dhe Himnit të Universitetit Publik “Kadri Zeka”, duke krijuar një atmosferë festive dhe solemne për të gjithë të pranishmit.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Rektori i Universitetit, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, shprehu krenarinë për rrugëtimin dhe arritjet e universitetit gjatë këtyre 12 viteve. Ai falënderoi të gjithë ata që kanë kontribuar në zhvillimin e këtij institucioni arsimor dhe theksoi se UKZ ka qenë dhe mbetet një qendër e rëndësishme e arsimit të lartë në Kosovë. “Universiteti Publik “Kadri Zeka” ka ndërtuar një identitet të fortë akademik përmes përkushtimit në arsim, kërkim shkencor dhe inovacion. Për më shumë se një dekadë, ky institucion ka përgatitur profesionistë të rinj dhe ka ndihmuar në zhvillimin e vendit tonë,” tha Rektori Dërmaku.  Ai vuri në pah disa nga sukseset e fundit të universitetit, duke përmendur riakreditimin pesëvjeçar të institucionit, hapjen e fakultetit të ri dhe programeve të reja akademike, si dhe përmirësimet në cilësinë e arsimit dhe kërkimit shkencor. Sipas tij, UKZ ka një rritje të ndjeshme në publikimet shkencore të stafit akademik në revista ndërkombëtare të indeksuara në Web of Science dhe Scopus, një tregues i përkushtimit ndaj shkencës dhe inovacionit. Ai gjithashtu përmendi përpjekjet për ndërtimin e një kampusi të ri universitar, duke theksuar se krijimi i një hapësire moderne do të ndikonte ndjeshëm në përmirësimin e kushteve të mësimdhënies dhe kërkimit. “Gjatë vitit akademik 2023-2024, kemi ndërmarrë hapa të qartë dhe strategjikë për të rritur cilësinë e arsimit dhe për të përgatitur studentët tanë për tregun e punës. Një nga prioritetet tona kryesore është zgjerimi i bashkëpunimeve ndërkombëtare, veçanërisht përmes programit Erasmus+, që ka mundësuar shkëmbime akademike dhe trajnime për stafin dhe studentët tanë,” shtoi Rektori Dërmaku.

Në këtë ceremoni, të pranishmëve iu drejtua edhe Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, i cili përgëzoi universitetin për përvjetorin e tij dhe vlerësoi kontributin e tij në arsimimin dhe zhvillimin e të rinjve. “Dija ka qenë gjithmonë drita që ka ndriçuar rrugën tonë. Përmes UKZ-së, mijëra studentë janë ushqyer me dije dhe janë përgatitur për të ardhmen. Ky universitet është një institucion kyç për qytetin tonë dhe për gjithë vendin,” tha Kryetari Hyseni. Ai theksoi se shumë nga të diplomuarit e UKZ-së tashmë po japin kontributin e tyre në institucione të ndryshme, përfshirë edhe administratën komunale. Kryetari po ashtu foli për përpjekjet e vazhdueshme për të gjetur një zgjidhje për ndërtimin e kampusit të ri universitar, duke premtuar mbështetje të mëtejshme për këtë projekt.

Një nga momentet më të rëndësishme të ceremonisë ishte shpërndarja e diplomave për studentët më të suksesshëm të universitetit. Rektori Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku ndau çmimin “Student i Dalluar”, i cili iu dha studentëve me notën më të lartë mesatare nga secili fakultet. Në Fakultetin e Edukimit, diplomën si student i dalluar e ka marrë Rinesa Hyseni; Qendrim Ademi ka marrë diplomën si student i dalluar në Fakultetin Juridik; Rozafa Bislimi ka marrë diplomën si student i dalluar në Fakultetin Ekonomik; dhe Gazmend Halili ka marrë diplomën si student i dalluar në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike.

Në emër të studentëve të nderuar, Rinesa Hyseni mbajti një fjalë rasti, ku falënderoi universitetin dhe profesorët për mbështetjen dhe udhëzimin akademik gjatë studimeve.

Për punën dhe zhvillimin e Universitetit Publik Kadri Zeka, u shfaq një video e shkurtër që paraqiti rezultatet dhe aktivitetet e fakulteteve.

Në kuadër të ceremonisë, UKZ ndau mirënjohje për profesorët dhe punonjësit akademikë që kanë kontribuar në zhvillimin e institucionit. Rektori Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, bazuar në propozimet e Këshillave të Fakulteteve, ndau mirënjohje për Prof. Asoc. Dr. Voglushe Kurteshi, Prof. Asoc. Dr. Nexhat Shkodra dhe Prof. Asoc. Dr. Musa Ajeti.

Po ashtu, në bazë të vendimit të Komisionit të formuar nga Senati i UKZ-së, i cili mbajti mbledhjen më 05.03.2025, u shpall Hulumtuesi i Vitit 2024, Prof. Ass. Dr. Shqipe Avdiu – Kyeziu. Vendimin e ka lexuar prorektorja për Hulumtime dhe Kërkime Shkencore, Prof. As. Dr. Arbona Xhemajli, dhe Rektori Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku ia ka dhënë mirënjohjen.

Gjithashtu, mirënjohje të veçanta u ndanë për profesorët që kanë dhënë një kontribut të çmuar në universitet: Prof. Dr. Bajram Kosumi për kontributin e dhënë në zhvillimin e universitetit dhe me rastin e pensionimit, Prof. Asoc. Dr. Fejzulla Hasani për kontributin në zhvillimin e Fakultetit Juridik, Prof. Ass. Dr. Bajram Fejzullahu për kontributin në zhvillimin e Fakultetit Ekonomik, dhe Prof. Ass. Dr. Vaxhid Sadriu për kontributin në administratë si Sekretar i Përgjithshëm i UKZ-së (2013-2024).

Me këtë rast Prof. Dr. Bajram Kosumi mbajti një fjalë rasti, ku tha se ka qenë nder dhe privilegj të kontribuoj në zhvillimin e Universitetit Publik ‘Kadri Zeka’, një institucion që ka ndërtuar breza profesionistësh dhe ka luajtur një rol kyç në arsimin e lartë në Kosovë. Kosumi ka shtuar se do të mbetem gjithmonë krenar për këtë rrugëtim dhe për bashkëpunimin e mrekullueshëm. Derisa ka thënë se do të jetë gjithmonë i gatshëm të ndihmoj sa herë që universiteti ka nevojë.

Po ashtu, Rektori Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku ndau mirënjohje për Arlinda Hasani, U.d. Udhëheqëse e Divizionit të Prokurimit, për punën e saj në zhvillimin e administratës së universitetit.

Në këtë ceremoni festive, nuk munguan as performancat artistike. Hysnije Latifaj në flautë dhe Defrim Behluli në piano ekzekutuan pjesët “Unë biri yt, Kosovë” dhe “Baresha”, duke krijuar një atmosferë emocionale dhe të veçantë për të pranishmit.

Universiteti Publik “Kadri Zeka” vazhdon të jetë një nga institucionet kryesore të arsimit të lartë në Kosovë, duke ndërtuar të ardhmen akademike të studentëve dhe duke kontribuar në zhvillimin e vendit.