Universiteti Publik “Kadri Zeka” pjesë e Panairit Kombëtar të Punës dhe Karrierës 2025

5 Qershor, 2025

Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan mori pjesë në Panairin Kombëtar të Punës dhe Karrierës 2025, i cili u mbajt në ambientet e Universitetit të Prishtinës. Ky aktivitet u organizua nga Agjencia e Punës e Republikës së Kosovës dhe Universiteti i Prishtinës, në bashkëpunim me Odën Ekonomike Gjermano-Kosovare, me mbështetje nga Qeveria Gjermane përmes Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH.

Gjatë panairit, u.d. udhëheqësja e Divizionit për Karrierë dhe Alumni në UKZ,. Arlinda Selmani, prezantoi para të pranishmëve programet studimore që ofron universiteti, mundësitë për angazhimin e studentëve në tregun e punës, si dhe aktivitetet që zhvillon Qendra për Zhvillim të Karrierës dhe Alumni.

Ky panair shërbeu si një platformë e rëndësishme për rrjetëzim ndërinstitucional, duke i mundësuar UKZ-së të vendosë kontakte të reja me institucione publike dhe kompani private.

Universiteti Publik “Kadri Zeka” vlerëson lartë rëndësinë e pjesëmarrjes në aktivitete të tilla, të cilat ndihmojnë në përforcimin e lidhjes ndërmjet arsimit të lartë dhe kërkesave të tregut të punës.