Rektori i Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, Prof. Asoc. Dr. Bajram Kosumi dhe Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit Blerim Kuqi, kanë nënshkruar Memorandum Mirëkuptimi për Projektin e Ekonomisë Dixhitale të Kosovës (KODE), respektivisht rrjetit Kombëtar për Hulumtim dhe Edukim.
Ketë bashkëpunim të dyja palët e kanë konsideruar në interes të përbashkët, për promovimin e lidhjeve të ngushta në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimeve (TIK), gjithnjë duke e vlerësuar rëndësinë e infrastrukturës dixhitale në zhvillimin e mirëqenies ekonomike e sociale.
Memorandum mirëkuptimi i nënshkruar sot, synon krijimin e kushteve të përshtatshme për mbarëvajtje cilësore të procesit mësimor në rrethanat aktuale dhe ato të jashtëzakonshme, lehtësimin e proceseve hulumtuese, qasjen në një gamë të gjerë të shërbimeve përmes kyçjes në rrjetin, Gigabit European Academic Network GEANT, si dhe ngritjen e produktivitetit përmes përfshirjes së TIK;
Ky memorandum mirëkuptimi ka për qëllim ngritjen/zhvillimin e komunitetit të hulumtuesve dhe zhvillimin e edukimit në Kosovë duke shfrytëzuar kapacitetet dhe mundësitë që ofron “Rrjeti Kombëtar për Hulumtim dhe Edukim i Kosovës”. Ky rrjet pretendon që të arrijë këtë zhvillim duke i siguruar këtij komuniteti qasje në resurse të ndryshme dixhitale, si qasje në infrastrukturë moderne të teknologjisë së informacionit, shërbime të ndryshme dixhitale, qasje në literaturë, si edhe të ofrojë bashkëpunim në mes të institucioneve arsimore brenda dhe jashtë kufirit të Kosovës.
Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit është duke e zbatuar Projektin e Ekonomisë Dixhitale të Kosovës (KODE), të financuar nga Banka Botërore dhe bashkë me Rrjetin për Hulumtimin dhe Edukimin e Kosovës (Kosovo Research and Education Network -KREN), kanë për mision mbështetjen dhe lehtësimin e kërkesave të komunitetit shkencor, edukativ dhe hulumtues duke synuar një transformim dixhital dhe nxitje në inovacion. Rrjeti kombëtar për hulumtim dhe edukim është duke ndihmuar universitetet në zhvillimin e inovacionit, hulumtimit dhe edukimit në Kosovë. Nëpërmjet këtij projekti do bëhet lidhja me rrjetin ndërkombëtar GEANT.
Rrjeti për Hulumtim dhe Edukim i Kosovës (Kosovo Research and Education Network – KREN) është rrjet i shërbimeve dhe komunikimit elektronik me mision mbështetjen dhe lehtësimin e kërkesave të komunitetit shkencor, edukativ dhe hulumtues duke synuar një transformim digjital dhe nxitje në inovacion.
Krijimi i KREN është komponenti i dytë i Projektit KODE, i cili fillimisht do të funksionojë në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit, deri në konstituimin e tij si entitet i pavarur.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan