Në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, përmes Fakultetit të Edukimit, u organizua promovimi i monografisë “Flakadani i Lirisë”, një vepër e autorit Bedri Tahiri, kushtuar figurës së Mustafë Shytit – mësues, poet dhe dëshmor i kombit.
Në këtë promovim morën pjesë dhe kontribuuan me fjalime profesorë, studiues, miq dhe bashkëveprimtar të Mustafë Shytit.
Në fjalën e tij Prof. Dr. Bajram Kosumi, bashkëveprimtar i heroit Mustafë Shyti, e vendosi këtë promovim në një kontekst historik, ku theksoi përkushtimin dhe sakrificat e atdhetarit për idealet e lirisë dhe drejtësisë. “Data 26 mars lidhet me demonstratat e vitit 1981, të cilat ndryshuan kahjen e zhvillimeve në Kosovë. Kosova, nga Hasan Prishtina e deri më sot, ka pasur njerëz si Mustafë Shyti, të cilët e kanë nisur betejën për liri. Ai ishte udhëheqës i demonstratave të vitit 1981 dhe qëndroi në ballë të luftës deri në veshjen e uniformës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ku u flijua për liri. Jam krenar që e kam njohur dhe bashkëpunuar me të dhe se sa të ketë njerëz të tillë, Kosova do të ecë përpara,” ka thënë në fjalën e tij Prof. Dr. Bajram Kosumi.
Prof. Dr. Merxhan Avdyli, një nga bashkudhëtarët e tij, ndau kujtimet dhe përjetimet personale me heroin, Mustafë Shyti, duke sjellë një rrëfim të ngrohtë e domethënës mbi karakterin dhe misionin e tij atdhetar.
Berat Daka, botues i monografisë, foli mbi procesin e mbledhjes së fakteve dhe realizimin e botimit, duke theksuar rëndësinë e dokumentimit të historisë dhe figurave kombëtare.
Një analizë të thelluar mbi veprën e paraqiti Prof. Dr. Flamur Maloku, i cili vlerësoi monografinë si një dokument historik të rëndësishëm që ndriçon jetën dhe veprimtarinë atdhetare të Mustafë Shytit.
Ndërkohë, recensenti i monografisë, Miftar Kurti, prezantoi një vlerësim të hollësishëm mbi librin, duke e cilësuar atë si një burim të vyer për të gjithë ata që duan të njohin sakrificat dhe idealet e heronjve të Kosovës.
Në këtë kontekst edhe Sadik Zeqiri, bashkëveprimtar i Mustafë Shytit, ndau kujtime të vlefshme mbi angazhimin e tij në çështjen kombëtare dhe ndikimin e tij në brezat e rinj.
Promovimi u pasurua nga interpretimet e studentëve të Universitetit Publik “Kadri Zeka”. Loresa Haxhiu recitoi poezinë “Vargjeve të mia” të Mustafë Shytit, duke e sjellë përmes vargjeve shpirtin e tij poetik. Arbëresha Maliqi solli poezinë “Optimisti”, e cila përfaqëson forcën dhe shpresën që Mustafë Shyti e ruajti deri në fund të jetës.
Një nga momentet më emocionuese të këtij promovimi ishte fjala e Jehona Shytit, vajza e Mustafë Shytit. Ajo shprehu mirënjohje për organizatorët dhe për të gjithë ata që po kujtojnë dhe dokumentojnë jetën e babait të saj dhe të heronjve të tjerë të kombit.
Në fund të promovimit, autori i monografisë, Bedri Tahiri, u shpreh i lumtur që kishte mundësinë të dokumentojë jetën dhe veprën e një figure të shquar si Mustafë Shyti. Ai falënderoi të gjithë të pranishmit dhe theksoi rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike për brezat e ardhshëm.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan