Me datë 06 shkurt 2025, është mbyllur afati për aplikimet në Programin Erasmus+ CBHE (Capacity Building in Higher Education), ku Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan ka bërë një hap të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe zhvillimin e mundësive për studentët dhe stafin e tij. Këtë e ka bërë të ditur Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte, Prof. Dr. Dukagjin Leka, i cili shprehu mirënjohjen për përkrahjen dhe mirëkuptimin nga Rektori Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku. Prorektori Leka njëherësh ka falënderuar të gjithë ata që kanë punuar dhe janë angazhuar gjatë periudhës sa ka qenë i hapur aplikimi, duke theksuar rëndësinë e këtyre aplikimeve për avancimin e arsimit të lartë dhe përfshirjen e universitetit në projekte ndërkombëtare.
Universitet ka aplikuar për gjithsej 25 projekte në këtë program prestigjioz.
Në mesin e aplikimeve, Universiteti Publik “Kadri Zeka” ka paraqitur një (1) aplikim për “European Charter for Higher Education”, një nismë që synon përmirësimin e kushteve dhe cilësisë së arsimit të lartë në Evropë.
Për më tepër, universiteti ka aplikuar për gjashtë (6) projekte si koordinator të tyre, duke përfshirë projekte si: GreenSustainTranform, NEXUS, MEDIATOR, INTEGRATE, CLiN, dhe CEDitWB. Këto aplikime përfshijnë tematika të rëndësishme si qëndrueshmëria, inovacioni dhe teknologjitë e reja.
Përveç kësaj, universiteti ka aplikuar si partner në shtatëmbëdhjetë (17) projekte të tjera, duke përfshirë emra si: WbrainGain, PIXELS, AID-GEO, DUALKO, AGILE, BALKANITS, AI-powered-Edu, BRIDGE2E, EDUAI, GreenUni4Future, STAHILPTL, GREEN IMPACT, TU SMART, DIHEALTH, GenAI4Edu, GREEN-PACT, dhe GAIA. Këto projekte mbulojnë një gamë të gjerë fushash, nga teknologjia, arsimi, zhvillimi i qëndrueshëm deri te shëndetësia dhe inteligjenca artificiale.
Po ashtu, Universiteti Kadri Zeka ka aplikuar si partner i asocuar në projektin Metaversing, i cili ka për qëllim të zhvillojë mundësi inovative për edukimin dhe formimin nëpërmjet teknologjive të reja.
Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka”, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, shprehu mirënjohjen për stafin për punën e bërë gjatë gjithë periudhës së aplikimeve, duke theksuar rëndësinë e këtyre projekteve për zhvillimin e mëtejshëm të universitetit dhe përgatitjen e studentëve e stafit për sfidat globale. Rektori Dërmaku shpreson që të arrijmë rezultate pozitive nga këto aplikime dhe të kontribuojmë në avancimin e arsimit të lartë dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
Universiteti Publik Kadri Zeka është i angazhuar për të ofruar mundësi të shumta për studentët dhe stafin, duke promovuar inovacionin, shkencën dhe teknologjinë në nivel global.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan