Universiteti Publik “Kadri Zeka” mirëpret delegacionin e Kolegjit Universitar Qiriazi

13 Nëntor, 2024

Universiteti Publik “Kadri Zeka” priti një delegacion nga Kolegji Universitar Qiriazi nga Tirana, me qëllim për të shikuar mundësinë e bashkëpunimit akademik dhe ndërkombëtar. Në takim morën pjesë Rektori i UKZ, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte, Prof. Asoc. Dr. Dukagjin Leka, Prodekani i Fakultetit Ekonomik, Prof. Ass. Dr. Lulzim Rashiti, si dhe u. d. Udhëheqësi i Zyrës për Bashkëpunim, të cilët zhvilluan bisedime me përfaqësuesit e Kolegjit Universitar Qiriazi, që ishte në përbërje të Rektorit Prof. Dr. Gjokë Uldedaj dhe përfaqësueset e Zyrës së Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Anxhela Uldedaj dhe Dr. Eda Cauli.

Gjatë takimit, Rektori i UKZ-së, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, falënderoi delegacionin për vizitën, derisa i ka informuar për programet studimore që ofron universiteti, për planin strategjik dhe për arritjet në fushën e projekteve ndërkombëtare. Ai theksoi se Universiteti “Kadri Zeka” mbetet i angazhuar për të ofruar mundësi të reja për shkëmbim akademik, përfshirë shkëmbimin e stafit dhe studentëve, si dhe krijimin e programeve dhe projekteve të përbashkëta.
Nga ana e tij, Rektori i Kolegjit Universitar Qiriazi, Prof. Dr. Gjokë Uldedaj, prezantoi institucionin që drejton, duke ndarë informacione mbi programet studimore, nismat e bashkëpunimit dhe përpjekjet për ndërkombëtarizim.
Drejtuesit e të dy institucioneve theksuan rëndësinë e bashkëpunimeve në fusha të ndryshme dhe veçanërisht në fushën e projekteve ndërkombëtare. Kjo, sipas tyre, përbën një pikë të fortë për UKZ, e cila tashmë është partnere në disa projekte të reja ndërkombëtare.

Delegacioni nga Kolegji Universitar Qiriazi pati gjithashtu mundësinë të vizitojë hapësirat e Universitetit Publik “Kadri Zeka”, ku u njohën nga afër me zhvillimin e procesit mësimor dhe infrastrukturën e ofruar për studentët dhe stafin akademik.

Ky takim shënon një hap të rëndësishëm drejt përforcimit të lidhjeve ndërinstitucionale dhe për të krijuar mundësi të reja për studentët dhe stafin në të dy institucionet.