Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, së bashku me Prorektorin për Bashkëpunim ndërkombëtar dhe projekte Prof. Asoc. Dr. Dukagjin Leka, kanë qëndruar në një vizitë zyrtare në Austri. Ata kanë vizituar Shoqatën e Miqësisë Austriako-Kosovare, ku u zhvilluan bisedime konstruktive mbi mundësitë e bashkëpunimit mes dy institucioneve. Në takim mori pjesë Sekretari i Përgjithshëm i shoqatës z. Arbër Marku, me të cilin u diskutua për nënshkrimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi që pritet të realizohet së shpejti.
Gjatë këtij takimi u shpreh angazhimi për krijimin e mundësive për studentët e UKZ-së që të përfshihen në programe mobiliteti në universitetet austriake, organizimin e aktiviteteve akademike dypalëshe dhe ndërtimin e urave lidhëse mes UKZ-së dhe institucioneve arsimore austriake.
Po ashtu në takim ishte i pranishëm edhe ish Ambasadori i Kosovës në Vjenë, Sami Ukelli, i cili pritet të angazhohet si Guest Speaker në Fakultetin e Shkencave Sociale, në programin “Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Studime Evropiane”. Po ashtu, u përmend edhe përfshirja e profesorëve austriakë në programet mësimore të UKZ-së, ku shumë shpejt deputeti i Parlamentit Evropian, z. Lukas Mandl, i cili nga Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan ne janar të 2023, me nismën e Këshillit të Bizneseve të Rajonit të Gjilanit dhe pas vendimit të Senatit, është nderuar me çmimin “Doctor Honoris Causa” i UKZ-së, do të ligjërojë për studentët e këtij universiteti.
Një tjetër pikë e rëndësishme e takimit ishte mirënjohja për kontributin e jashtëzakonshëm të Z. Erhard Busek në zhvillimin e arsimit në Kosovë dhe njohjen e diplomave gjatë periudhës së okupimit. Në nder të tij, UKZ ka planifikuar ndërtimin e një busti në oborrin e universitetit, emërtimin e një salle mësimore dhe bashkëpunimin me Komunën e Gjilanit për të emërtuar një rrugë në nder të tij.
Me këtë nismë, UKZ synon të zgjerojë horizontet akademike dhe bashkëpunimet ndërkombëtare, duke siguruar mundësi të reja për studentët dhe profesorët e saj.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan