Universiteti Publik “Kadri Zeka” dhe Peace Corps Kosovo thellojnë bashkëpunimin për projekte të përbashkëta

13 Mars, 2025

Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte, Prof. Dr. Dukagjin Leka, së bashku me ekipin e tij, ka pritur në një takim zyrtar përfaqësuesit e Peace Corps Kosovo, znj. Nur-Aliyya Mattos, Drejtoreshë e Programimit dhe Trajnimeve, dhe z. Hyzri Halimi, Menaxher i Programit.

Gjatë takimit, palët u dakorduan për të zhvilluar projekte të përbashkëta dhe për mbështetjen që Peace Corps do t’i ofrojë UKZ-së në fusha të rëndësishme si kërkimi shkencor, zhvillimi i programeve të reja akademike dhe fuqizimi i kapaciteteve institucionale. Ky bashkëpunim synon të sjellë ekspertizën ndërkombëtare të Peace Corps në përmirësimin e cilësisë akademike dhe avancimin e mundësive për studentët dhe stafin e universitetit.

Një nga pikat kryesore të takimit ishte planifikimi për nënshkrimin e një Marrëveshjeje Bashkëpunimi, e cila do të formalizojë këtë partneritet dhe do të hapë rrugën për projekte të qëndrueshme dhe inovative në kuadër të universiteteve publike në Kosovë.

Prorektori Prof. Dr. Dukagjin Leka shprehu mirënjohjen për gatishmërinë e Peace Corps për të kontribuar në zhvillimin e universitetit, ndërsa përfaqësuesit e kësaj organizate theksuan angazhimin e tyre për të mbështetur UKZ-në në përmbushjen e misionit të saj akademik dhe kërkimor.

Ky bashkëpunim i ri shënon një hap të rëndësishëm drejt ndërkombëtarizimit të UKZ-së, duke zgjeruar partneritetet e tij edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përmes këtij bashkëpunimi, do të krijohet një platformë e re për shkëmbimin e njohurive dhe praktikave më të mira në fushën e arsimit të lartë, duke mundësuar integrimin e përvojave dhe ekspertizës akademike nga institucionet amerikane në zhvillimin e UKZ-së.