Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi veç e veç edhe me dy komuna, atë të Kaçanikut dhe të Hanit të Elezit, për shkëmbim të shumanshëm në funksion të zhvillimit institucional.
Nënshkruesi i marrëveshjes, Rektori i UKZ-së Bajram Kosumi, Kryetari i Komunës së Kaçanikut Besim Ilazi dhe Kryetari i Komunës Hanit të Elezit Rufki Suma, kanë thënë se institucionet që ata drejtojnë, me nënshkrimin e marrëveshjes në fjalë, do të kenë qëllim të përbashkët- përkrahjen e studentëve gjatë studimeve dhe identifikimin e iniciativave për promovimin dhe mbështetjen profesionale në zhvillimin e gjithëmbarshëm socio-ekonomik të rajonit ekonomik të dy institucioneve.
Bashkëpunimi ndërmjet UKZ-së dhe Komunave në fjalë do të përfshijë, mundësimin e mbajtjes së punës praktike për studentët e UKZ-së, nëpër drejtoritë komunale të Komunave përkatëse, përkrahjen e studentëve me bursa studentore komunale, zhvillimin e programeve hulumtuese, projekteve kërkimore-shkencore, dhe projekteve të tjera të cilat janë me interes të institucioneve, organizimin e përbashkët të konferencave, trajnimeve, seminareve, ngjarjeve kulturore dhe bashkëpunimeve të tjera profesionale, etj.
Rektori Bajram Kosumi i shoqëruar nga prorektori për bashkëpunim ndërkombëtar Dukagjin Leka, gjatë qëndrimit në Komunën e Kaçanikut dhe atë të Hanit të Elezit, e kanë uruar kryetarin Ilazi dhe kryetarin Suma për marrjen e përgjegjësive të reja, si kryetar komune, derisa i ka njoftuar ata rreth zhvillimit dhe funksionimit të Universitetit. Rektori ka thënë se Universiteti i Gjilanit ”Kadri Zeka” do të krijojë kuadro të përgatitur për tregun e punës respektivisht kuadro për arsim, ekonomi, administrate si dhe fushat e tjera përmes te cilave Kosova por edhe rajoni do të rrisë aftësitë konkurruese në nivelin arsimor dhe aspektet e tjera.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan