Një delegacion nga Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Turqi, në kuadër të programit të mobilitetit Erasmus+ ICM, ka vizituar Çağ University. Qëllimi i kësaj vizite është forcimi i bashkëpunimit ndërkombëtar dhe zgjerimi i rrjetit të partnerëve akademikë të universitetit.
Delegacioni i përbërë nga Rektori, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, Dekani i Fakultetit të Shkencave të Aplikuara, Prof. Asoc. Dr. Selim Daku, dhe Udhëheqësi i Zyrës për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Anëtarësime, z. Betim Berisha, gjatë vizitës në Çağ University, ka pasur takime zyrtare ku janë pritur nga Prof. Dr. Mahir Füsunoğlu, Prorektor për Bashkëpunim Ndërkombëtar, z. Murat Gülmeş, Udhëheqës i Bashkëpunimit Ndërkombëtar, dhe z. Sami Doğru, përfaqësues nga Fakulteti Juridik. Takimi u fokusua në diskutime rreth organizimit të një konference të përbashkët, shkëmbimit të studentëve dhe stafit akademik, pjesëmarrjes në projekte të përbashkëta si dhe nënshkrimit të një marrëveshjeje të re ndërinstitucionale.
Delegacioni i UKZ-së pati mundësinë të vizitojë disa nga njësitë përbërëse të Çağ University, duke përfshirë Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, Fakultetin Juridik, laboratorin e avancuar për mësim dhe kërkim në Metaverse (VR Metaverse Lab), Laboratorin e Financave si dhe bibliotekën moderne të universitetit.
Njëherësh gajtë vizitës, është biseduar edhe rreth mundësive për krijimin e programeve të përbashkëta të doktoratës (PhD), zhvillimit të projekteve të reja ndërkombëtare dhe thellimit të bashkëpunimit përmes skemës Erasmus+ ICM dhe formave të tjera të mobilitetit akademik.
Rektori i UKZ-së, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, tha se si Universitet jemi të përkushtuar të ndërtojmë ura të qëndrueshme bashkëpunimi me universitete me reputacion si Çağ University, për të ofruar mundësi konkrete për studentët dhe stafin akademik të UKZ-së.
Kjo vizitë nënvizon angazhimin e Universitetit “Kadri Zeka” për të zgjeruar horizontet ndërkombëtare dhe për të forcuar pozitën e tij në hartën akademike evropiane.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan