Përfaqësues të Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan kanë marrë pjesë në takimin e radhës të Asociacionit të Universiteteve Ballkanike (BUA) për vitin akademik 2017/18 i cili këtë herë është mbajtur në Universitetin e Tetovës, si udhëheqës i Presidencës së Asociacionit të Universiteteve Ballkanike për vitin akademik 2017/18.
Universiteti Publik “Kadri Zeka” ne Gjilan është anëtar themelues i Asociacionit të Universiteteve të Ballkanit (BUA).
Në takimin e radhës të asociacionit të lartpërmendur, morën pjesë mbi 40 rektorë të universiteteve ballkanike dhe shumë studiues shkencorë. Fillimisht Presidenti i Asociacionit të Universiteteve Ballkanike, Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, ftoi Rektorin e Universitetit për Biznes dhe Teknologji nga Prishtina që të nënshkruajë anëtarësimin e këtij Universiteti si anëtar i ri i Asociacionit të Universiteteve Ballkanike, pas aplikimit që ky universitet ka bërë një vit më parë.
Në këtë takim u bë edhe shqyrtimi dhe miratimi i aplikimeve të universiteteve, që kanë aplikuar për anëtarësimin e tyre në këtë asociacion. Në takim, me shumicë votash u miratuan kërkesat e këtyre institucioneve të arsimit të lartë, si: Universitetit të Tiranës, Universitetit të Korçës, Universitetit “Haxhi Zeka”- Pejë, Universitetit të Shkencave Shëndetësore – Stamboll, Universitetit të Bihaçit, Universitetit të Shkodrës dhe Universitetit të Novi Sadit. Më pas u diskutua edhe për kualitetin e procesit të akreditimit dhe bashkëpunimit ndëruniversitar, si dhe u bë edhe shqyrtimi dhe miratimi i draft-Statutit të Asociacionit të Universiteteve Ballkanike.
Në fund të këtij takimi u realizua edhe pranim-dorëzimi i Presidencës së Asociacionit të Universiteteve Ballkanike. Pas Universitetit të Tetovës me presidencën e këtij Asociacioni gjatë vitit akademik 2018/19 do të udhëheqë Universiteti “Aristoteli” nga Selaniku. Me këtë rast Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, ia dorëzoi Presidencën Rektorit të Universitetit “Aristoteli”, Prof. Dr. Pericles A. Mitkas.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan