Përfaqësues të Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan, kryesuar nga Prorektori për Mësim Kërkime Shkencore dhe Çështje të Studentëve, Prof. Asoc. Dr. Xhevdet Thaqi, së bashku me disa nga stafi akademik i UKZ-së, po marrin pjesë në Sesionin e parë të Konzorciumit tȅ Projektit ResearchCult,(“Përmirësimi i kulturës kërkimore në arsimin e lartë në Kosovë”) që është në koordinimin e Kolegjit Ndërkombëtar IBC-M.
Ky organizim po mbahet në Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës, pjesëmarrës janë edhe partnerë tjerë nga të gjitha universitet publike të Kosovës, përfaqësues të Universitetit të Zagrebit, Universitetit Sapienza të Romës dhe Universitetit Nacional të Ekonomisë në Sofje.
Qëllimi kryesor i këtij projekti është përkrahja e ndërtimit të kulturës shkencore të institucioneve të arsimit të lartë duke zhvilluar praktika të mira, duke themeluar dhe instaluar rregullore, struktura dhe mekanizma tjerë në të gjitha universitetet partnere të Kosovës (UKZ, UP, UHZ, UGJ, UPZ, USHAF dhe UMIB).
Në kuadër të këtij projekti do të fillohet me studimin e gjendjes aktuale të kapaciteteve hulumtuese të arsimit të lartë, pastaj do të themelohen Zyrat e Hulumtimeve shkencore dhe planet strategjike për përkrahje të vazhdueshme të hulumtimeve shkencore. Do të vazhdohet me publikimin e hulumtimeve shkencore duke zhvilluar dhe miratuar standardet ndërkombëtare tȅ revistave shkencore; do të organizohen konferenca të përbashkëta shkencore; do të krijohet çasje e rregullt në hulumtimet shkencore on-line në databazat/platformat e njohura për të fituar njohuri shkencore dhe do tȅ rritet numri i publikimeve shkencore duke krijuar kapacitete të reja në përgatitjen e artikujve shkencor edhe për Revista ndërkombëtare me kritere dhe kërkesa tȅ larta shkencore.
Tȅ gjitha këto aktivitete do tȅ jenë me rëndësi tȅ madhe edhe për stafin akademik dhe studentët e Universitetit “Kadri Zeka” të cilat janë kusht i domosdoshëm nȅ procesin e ngritjen e cilësisë së arsimit tȅ lartë në UKZ.
Projekti ResearchCult do tȅ zgjat 3 vjet (Janar 2020-janar 2023) dhe financohet nga Bashkimi Evropian.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan