Përfaqësues të Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, përfshirë Prorektorin për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte, Prof. Dr. Dukagjin Leka, Dekanen e Fakultetit Juridik, Prof. Asoc. Dr. Fatmire Krasniqi, dhe U.D. Dekanin e Fakultetit të Shkencave Sociale, Prof. Asoc. Dr. Selim Daku, kanë marr pjesë në mbledhjen vjetore të Asamblesë së Fakulteteve të Drejtësisë Evropiane (ELFA) që u zhvillua në Universitetin UNWE në Sofje të Bullgarisë.
Në këtë ngjarje, Fakulteti Juridik i UKZ është pjesë e ELFA me të drejta të barabarta, duke kontribuar aktivisht në zhvillimin e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe shkëmbimin e njohurive me institucione akademike nga e gjithë bota.
Gjatë këtij takimi, është mbajtur edhe konferenca vjetore e ELFA, ku përfaqësuesit e UKZ kanë prezantuar punimin e tyre me temën “Edukimi Ligjor dhe sfidat mësimore në kohën e teknologjisë informative”. Ky prezantim ka nxjerrë në pah nevojën për përshtatjen e programeve mësimore me kërkesat e reja që sjell zhvillimi i shpejtë i teknologjisë, duke ofruar mundësi për diskutime të rëndësishme mbi edukimin dhe të drejtat ligjore në një epokë digjitale.
Në kuadër të takimeve që janë zhvilluar gjatë këtyre ditëve, janë diskutuar mundësitë për krijimin e marrëveshjeve bilaterale dhe për mobilitetin ndërkombëtar të studentëve dhe stafit akademik. Shumë shpejt, këto takime do të kthehen me rezultate konkrete për UKZ, duke përfshirë marrëveshje me universitete nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Brazili, Gjermania, Austria, Norvegjia, Emiratet e Bashkuara Arabe, Turqia, Polonia, Spanja, Italia, Gjeorgjia, Rumania, Bullgaria dhe shumë shtete të tjera.
ELFA, e cila tani ka mbi 150 universitete anëtare nga katër kontinente, është një platformë e rëndësishme për promovimin e bashkëpunimit akademik ndërkombëtar në fushën e drejtësisë dhe të ligjit. Pjesëmarrja e UKZ në këtë ngjarje është një dëshmi e angazhimit të tij në zhvillimin dhe avancimin e arsimit të lartë dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
Ky është një tjetër hap i rëndësishëm për Fakultetin Juridik të UKZ, i cili vazhdon të tregojë rëndësinë e tij edhe në mjedise ndërkombëtare, duke marrë vendin e merituar mes institucioneve më të njohura akademike në botë.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan