UKZ pjesë e zhvillimeve për Inovacione të Gjelbra në kuadër të projektit GreenWB në Vaasa të Finlandës

9 Qershor, 2025

Universiteti Publik “Kadri Zeka” ka marrë pjesë në aktivitetin trajnues të mbajtur këtë javë në Universitetin e Vaasës, në Finlandë, në kuadër të projektit GreenWB – Forcimi i Inovacioneve të Gjelbra përmes Bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor.

Delegacioni i UKZ-së, i përbërë nga stafi akademik dhe administrativ dhe i udhëhequr nga Prof. Dr. Dukagjin Leka, Prorektor për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte, ishte pjesë e këtij trajnimi praktik, së bashku me përfaqësues nga universitetet e Shqipërisë, Kosovës dhe partnerë nga Bashkimi Evropian.

Gjatë javës, pjesëmarrësit morën pjesë në punëtori praktike në kuadër të Paketës së Punës 6 të projektit, vizita studimore në laboratorët e avancuar të Technobothnias dhe VEBIC, takime me palë të interesuara lokale, si: Stormossen, Westenergy dhe SF-BioVac, për të fituar njohuri mbi zgjidhjet e qëndrueshme dhe teknologjitë më të reja.

Për më tepër, u organizuan sesione të fokusuara në aftësitë e gjelbra, zhvillimin e biznesit, qëndrueshmërinë e inovacionit, të cilat janë veçanërisht të rëndësishme për universitetet e rajonit që synojnë të përafrojnë aktivitetin e tyre me objektivat e Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane dhe kërkesat në rritje të tregut të punës.

Ky trajnim ishte një mundësi e shkëlqyer për thellimin e bashkëpunimit ndëruniversitar, shkëmbimin e përvojave dhe zhvillimin e mëtejshëm të laboratorëve të qëndrueshëm dhe portofoleve të shërbimeve me ndikim të lartë, si pjesë e ekosistemeve të inovacionit të gjelbër.