Në qytetin e Hagës në Holandë, po mbahet Asambleja e Përgjithshme e Koalicionit Evropian për Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë (EU STEM Coalition) – organizim ky më i rëndësishëm evropiane në fushën e arsimit STEM, që bashkoi përfaqësues të arsimit të lartë, arsimit profesional, industrisë dhe institucioneve qeveritare nga e gjithë Evropa, anëtar i rregullt e së cilës është edhe Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan që nga viti 2023 .
Në këtë ngjarje UKZ-në e përfaqësuan Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, Rektor i Universitetit, Prof. Dr. Xhevdet Thaqi, Dekan i Fakultetit të Shkencave Aplikative, Minire Rexhepi, Udhëheqëse e Zyrës për Komunikim me Publikun, Hidajete Jashari, Zyrtare Certifikuese, Rrezart Rexhepi, Zyrtar Administrator i Bazës së të Dhënave dhe Sistemeve
Gjatë dy ditëve të Asamblesë, po zhvillohen sesione të ndryshme, si diskutime mbi zhvillimet më të fundit në fushën e arsimit STEM në Evropë, bazuar në Strategjinë Zhvillimore të STEM nga Komisioni Ekzekutiv i Bashkimit Evropian, si dhe sesione punuese lidhur me mbështetjen për arsimin në Ukrainë, përvojat dhe sfidat në Holandë dhe prezantime mbi strategjinë evropiane të STEM për vitet në vijim. Gjithashtu u mbajtën takime bilaterale me partnerë të ndryshëm duke vendosur kontakte të reja për bashkëpunime të mundshme në projekte ndërkombëtare.
Ky bashkëpunim vjen si vazhdimësi e angazhimeve të Universitetit në kuadër të STEM dhe pjesëmarrjen në takimin e STEM Taskforcës së Ballkanit Perëndimor, mbajtur në Dubrovnik, ku në këtë takim u shqyrtua mundësia për krijimin e një rrjeti ballkanik të institucioneve të arsimit të lartë që promovojnë dhe zhvillojnë fushat STEM, si dhe u përgatit propozimi drejtuar Agjencisë Evropiane Erasmus+ për mbështetje më të madhe në këtë drejtim.
Kjo përfshirje dhe pjesëmarrje e UKZ në aktivitetet e EU STEM Coalition përforcon edhe më shumë rolin e Universitetit si pjesë aktive e platformave ndërkombëtare të arsimit dhe kërkimit shkencor, duke ofruar mundësi të reja për studentët, stafin akademik dhe institucionin në tërësi.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan