Pas një pune të përkushtuar përgatitore, Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan ka nisur me sukses aktivitetet në PH Zug në Zvicër, në kuadër të projekteve ndërkombëtare që synojnë forcimin e bashkëpunimit arsimor dhe hulumtimin e ndikimit të migrimit në edukim.
Një delegacion nga Universiteti Publik “Kadri Zeka” po qëndron aktualisht në Zug të Zicrrës, ku do të kenë një javë me aktivitete akademike dhe bashkëpunime ndërkombëtare.
Në përbërje të delegacionit janë Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte, Prof. Dr. Dukagjin Leka, dhe Prof. Ass. Dr. Shejnaze Gagica, si dhe pesë mësimdhënës nga katër shkolla fillore të Komunës së Gjilanit. Mësuesit vijnë nga shkollat: “Selami Hallaqi”, “Thimi Mitko”, “Musa Zajmi” dhe “Rexhep Elmazi”.
Vizita po realizohet në kuadër të projektit ndërkombëtar “Movetia”, një iniciativë që mbështet mobilitetin dhe ngritjen profesionale të stafit akademik dhe arsimor, duke synuar një lidhje më të fortë ndërmjet universiteteve dhe shkollave fillore. UKZ, si partnere zyrtare me PH Zug, ka bërë hapa të mëdhenj në këtë drejtim.
Gjatë kësaj jave delegacioni i UKZ-së dhe mësuesit tanë, do të marrin pjesë në ligjërata, punëtori, vizita shkencore dhe aktivitete të tjera që synojnë shkëmbimin e përvojave. Një nga aktivitetet më të rëndësishme të programit studimor, do të jetë angazhimi i drejtpërdrejtë në mësimdhënie brenda klasave të shkollave zvicerane, në qytete si Zurich, Zug dhe Luzern. Kjo do t’u mundësojë atyre të kuptojnë më mirë realitetin arsimor në një sistem të ndryshëm dhe të pasur me përvoja multikulturore.
Por kjo vizitë nuk është vetëm pjesë e “Movetia”-s. Në të njëjtën kohë, ka nisur edhe projekti i ri ndërkombëtar, i cili ka për qëllim të hulumtojë ndikimin e migrimit në arsimin shkollor. Ky projekt, i financuar nga Qeveria Zvicerane dhe Kantoni Zug, është duke u zbatuar në partneritet mes UKZ-së dhe PH Zug. Përmes këtij bashkëpunimi, synohet të kuptohet më mirë se si migracioni ndikon në përfshirjen, mësimnxënien dhe qasjen në arsim për fëmijët me prejardhje të ndryshme kulturore.
Për mësimdhënësit nga Gjilani, kjo është një mundësi unike për të parë nga afër se si menaxhohen këto sfida në një vend si Zvicra. Ata do të jenë në terren, do të vizitojnë shkolla dhe do të jenë pjesë aktive e diskutimeve dhe praktikave që kanë të bëjnë me integrimin dhe zhvillimin arsimor të fëmijëve migrantë.
Ndërkohë në muajin shtator, pritet që rektorja e PH Zug të vizitojë UKZ-në me një delegacion të saj. Ndërsa në tetor, 15 studentë zviceranë do të qëndrojnë në Gjilan, kurse në nëntor, do të jetë radha e mësuesve nga Zvicra për të vizituar shkollat e Komunës së Gjilanit. Viti do të përmbyllet në dhjetor me vizitën studimore të 15 studentëve të UKZ-së në Zug, për një tjetër mundësi të shkëmbimit kulturor dhe akademik që Universitetit Publik “Kadri Zeka” e organizon disa vite me radhë.
Prorektori Prof. Dr. Dukagjin Leka ka falënderuar Rektorin e UKZ, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, për mbështetjen e pakursyer në realizimin e të gjitha këtyre aktiviteteve. Ai theksoi se këto bashkëpunime po e kthejnë UKZ-në në një qendër të zhvillimit arsimor ndërkombëtar, që funksionon mbi bazën e vlerave të mirëfillta dhe përkushtimit ndaj përmirësimit të cilësisë në edukim. Sot, UKZ është i vetmi universitet në Kosovë që zhvillon aktivitete kaq të strukturuara me universitete nga Zvicra, duke krijuar ura bashkëpunimi që ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e arsimit jo vetëm në nivel universitar, por edhe në atë parauniversitar.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan