UKZ nënshkruan Memorandum Mirëkuptimi me CCNO-në

4 Korrik, 2025

Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan ka nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi me Qendrën për Bashkëpunim dhe Rrjetëzim të Organizatave CCNO.

Memorandumi është nënshkruar nga Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka”, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku dhe Drejtoresha Ekzekutive e CCNO-së, znj. Mediana Bislimi. Ky dokument shënon një hap të rëndësishëm drejt thellimit të bashkëpunimit ndërinstitucional në fusha me interes të përbashkët si: edukimi, zhvillimi akademik, kërkimi shkencor, përfshirja e të rinjve dhe ngritja e kapaciteteve për përfshirje sociale.

Palët janë zotuar se do të mbështesin nisma dhe projekte që kontribuojnë në përmirësimin e kapaciteteve akademike dhe profesionale, si dhe do të bashkëorganizojnë konferenca, trajnime, seminare, punëtori dhe aktivitete të tjera me karakter edukativ dhe kulturor. Po ashtu, marrëveshja parasheh bashkëpunim në ndërtimin e kapaciteteve për zhvillim profesional dhe kërkimor për stafin dhe studentët.

Ky bashkëpunim pritet të krijojë mundësi të reja për studentët dhe stafin e UKZ-së, duke forcuar lidhjet të rëndësishme bashkëpunimi me sektorin civil dhe organizatat partnere.