Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, Prof. Asoc. Dr. Artan Dëramku, ka nënshkruar dy marrëveshje të rëndësishme bashkëpunimi me Istanbul Aydin University, një nga universitetet më të njohura në Turqi.
Marrëveshja e parë ka të bëjë me bashkëpunimin ndërinstitucional ndërmjet dy institucioneve. Ky bashkëpunim përfshin një gamë të gjerë aktivitetesh, si: Zhvillimi i projekteve të përbashkëta në fushën e arsimit, kërkimit dhe inovacionit; Organizimi i konferencave dhe seminareve ndërkombëtare; Shkëmbimi i përvojave akademike midis stafit pedagogjik dhe administrativ.
Synimi i kësaj marrëveshjeje është të krijojë ura lidhëse ndërmjet dy universiteteve për përmirësimin e cilësisë akademike dhe zgjerimin e horizonteve të bashkëpunimit ndërkombëtar.
Marrëveshja e dytë, që është më e veçantë, ka të bëjë me mobilitetin e studentëve. Në bazë të kësaj marrëveshjeje, studentët e UKZ-së do të kenë mundësi të zhvillojnë një pjesë të studimeve të tyre në Istanbul Aydin University, duke përfituar nga infrastruktura moderne, kurrikulat e avancuara dhe ambienti ndërkombëtar i këtij institucioni. Kjo përvojë pritet të ndihmojë në rritjen e aftësive akademike dhe kulturore të studentëve, duke i përgatitur ata më mirë për tregun global të punës.
Rektori i UKZ-së, Prof. Asoc. Dr. Artan Dëramku, u shpreh se këto marrëveshje janë një hap i rëndësishëm për ndërkombëtarizimin e Universitetit Publik “Kadri Zeka” dhe për të rritur ndikimin e tij në arenën akademike ndërkombëtare. Ai theksoi se përfituesit kryesorë të këtyre marrëveshjeve janë studentët dhe stafi akademik, të cilët do të kenë mundësi të shkëlqyera për të ndërtuar ura bashkëpunimi dhe për të fituar përvoja të reja.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan