UKZ nderon me çmimin “Doctor Honoris Causa” Lukas Mandl

30 Janar, 2023

Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan me nismën e Këshillit të Bizneseve të Rajonit të Gjilanit dhe pas vendimit të Senatit, ka nderuar me çmimin “Doctor Honoris Causa”  z. Lukas Mandl anëtar i Parlamentit Evropian.

Fillimisht Pritja e Lukas Mandl dhe delegacionit të tij është bërë nga Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka” Porf. Dr. Bajram Kosumi dhe stafi i tij, ku është zhvilluar bisedë kurtuazie, ndërkohë  Laureati z. Lukas Mandl është nënshkruar në librin Amzë të UKZ-së.

Më pas në ambientet e Universitetit z. Lukas mandl i shoqëruar nga Rektori Prof. Dr. Bajram Kosumi dhe Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar Prof. Asoc. Dr. Dukagjin  Leka, ka mbajtur ligjëratë para stafit dhe studentëve të UKZ, rreth  Bashkimit Evropian dhe liberalizimit të vizave për Kosovën.

Ceremonia kryesore  e ndarjes së çmimit për z. Lukas Mandl “Doctor Honoris Causa” i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, ka nisur me intonimin e himnit të Kosovës dhe të Austrisë.

Në fjalën e rastit Rektori i universiteti, Prof. Dr. Bajram Kosumi ka thënë se tash e sa kohë z. Lucas Mandl, e ngre zërin në mbrojtje të lirisë së Kosovës, për njohjen e Kosovës nga shtetet e tjera si dhe për integrimin e Kosovës në BE. Ai po dëshmon se zëri për liri, për demokraci, për vlerat evropiane është i fortë, pavarësisht prej shumë dilemave e zërave pesimistë. Ai po dëshmon se shpirti humanist evropian është i gjallë, ka thënë mes tjerash Rektori Kosumi. Sipas Rektorit,  zëri i Mandl për Kosovën në Parlamentin Evropian, është shumë i rëndësishëm drejt rrugës për në BE. “Universiteti Publik ‘Kadri Zeka’ e çmon këtë vizion dhe këtë zë humanist të z. Mandl. Ne e çmojmë dhe besojmë tek një BE e reformuar, e plotësuar me shtetet që sot ende kanë mbetur jashtë saj. Ky angazhim dhe vizion i z. Mandl është për nderim, prandaj universiteti i jonë ka ndarë çmim për z. Mandl”, tha mes tjerash Rektori Kosumi.

Ndërsa, kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni tha se çmimi Doctor Honoris Causa i dhënë nga Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan për z. Lukas Mandl,  është vetëm një vepër simbolike kundrejt kontributit madhështor të mikut tonë  në promovimin e Kosovës në Parlament Evropian, dhe gjithandej nëpër qarqet diplomatike në Evropë.

Zëvendës ministrja e Arsimit Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit Edona Maloku Bërdyna, theksoi se Ministria e Arsimit dhe Qeveria e Kosovës është e motivuar që të punojë për të mirën dhe për të drejtën dhe se njerëz si z.Mandl i duhen vendit tonë, i duhen të drejtës, si dhe të gjithë atyre që bartin në vete vlerat e vërteta evropiane. Ajo uroi që ky titull si simbol i respektit e mirënjohjes së thellë, i ndarë nga Universiteti “Kadri Zeka”, të shërbejë si udhërrëfyes për angazhimin e z. Mandl edhe në të ardhmen.

Presidenti i Këshillit të Bizneseve të Rajonit të Gjilanit  Arsim Vranovcin në fjalën e rasti ka thënë se kjo është ngjarje e rëndësishme jo vetëm për Gjilanin e Anamoravën por për gjithë Kosovën, sepse sipas tij sot po nderohet një personalitet siç është Lukas Mand, i cili në çdo takim të Parlamentin Evropian dhe kudo ku është i pranishëm, Kosova është temë e fjalës së  ti.

Ndërkohë Laudatori Prof. Asoc. Dr. Dukagjin Leka, prorektor për bashkëpunim ndërkombëtar në universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, ka bërë promovimin e  veprimtarisë së Laureatit z. Lukas Mandl deputet në Parlamentin Evropian. Prorektori Leka pos tjerash tha se, kontributi i Lukas Mandl në proceset shtetformuese të Republikës së Kosovës, avokimi i kauzës së Kosovës në Parlamentin Evropian, në Këshillin e Evropës dhe në Bashkimin Evropian, në përgjithësi, mbështetja e pakursyer për njohjen ndërkombëtare të Republikës së Kosovës është mjaft i madh andaj UKZ ka vendosur të nderoj me çmimin “Doctor Honoris Causa”  z. Lukas Mandl anëtar i Parlamentit Evropian.

Sekretari i Përgjithshëm Vaxhid Sadriu  ka lexuar vendimin e Senatit të Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan për dhënien e  titullit: Doctor Honoris Causa,  z. Lukas Mandl.

Ndërkohë kori i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, në udhëheqjen e profesoreshës Drita Kryeziu, ka intonuar himnin akademik.

Pas kësaj rektori Prof. Dr. Bajram Kosumi ka bërë dorëzimin e  Diplomës Doctor Honoris Causa i Universitetit Publik “Kadri Zeka”, tek Laureati z. Lukas Mandl, anëtar i Parlamentit Evropian.

 

Në fjalën e tij z. Lukas Mandl shprehu kënaqësinë dhe mirënjohjen për vlerësimin e bërë nga Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan duke thënë se ndjehet shumë i vlerësuar dhe krenar për titullin Doctor Honorsi Causa. Ai ka cituar një koleg të tij, i cili i kishte thënë se Kosova është foshnja e BE-së dhe ShBA-së. “Para disa vitesh, një koleg nga Bullgaria, duke qëndruar bashkë me të para një hoteli në Prishtinë, po shihnim në mbrëmje qiellin. Tani po citoj atë kur më tha se Kosova është foshnje e BE-së dhe e SHBA-së dhe rrjedhimisht ne duhet të kujdesemi për foshnjën tonë” – ka thënë ai. Lukas Mandl, Doctor Honoris Causa i Universitetit Publik “Kadri Zeka” ne Gjilan, ka thënë se ne do të vazhdojmë të punojmë që të ecim me parimin që  të kontribuojmë  për shoqërinë, duke krijuar vlera në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian.

Në përcjellje të ceremonisë bashkë me eurodeputetin Lukas Mandl nga Austria kishte ardhur edhe babai i tij, i cili dukej shumë i lumtur dhe krenar.

Në fund solistja Elona Sadiku e shoqëruar me piano nga pianistja Etrita Hasani, ka interpretuar veprat shqiptare “Njat zaman t’asaj furie” nga Çesk Zadeja dhe “Agimet Shqiptare” nga Avni Mula.

Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, i ka dorëzuar z. Lukas Mandl Diplomën “Doctor Honoris Causa”, me motivacionin për kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e marrëdhënieve njerëzore, në mbështetje dhe konsolidimin e paqes në Kosovë, në rajon dhe me gjerë, për kontribut në proceset shtetformuese të Republikës së Kosovës, në avokimin e kauzës së Republikës së Kosovës në Parlamentin Evropian, në Këshillin e Evropës dhe në Bashkimin Evropian, në përgjithësi, për mbështetje të pakursyer dhe avokim për njohjen ndërkombëtare të Republikës së Kosovës, për përpjekjet e vazhdueshme si raportues për Republikën e Kosovës në Parlamentin Evropian dhe në Partinë Popullore Evropiane (EPP), për kontribut në themelimin e Shoqatës se Miqësisë Austriako-Kosovare dhe për kontribut në fushën e kulturës e të medias për përhapjen e të vërtetës së Kosovës.