UKZ mori pjesë në takimin online të projektit evropian STEM EUROPE

12 Qershor, 2025

Në kuadër të projektit STEM EUROPE, u mbajt takimi online i partnerëve që punojnë në Paketën e Punës 6 (WP6), që ka në fokus komunikimin dhe shpërndarjen e rezultateve të projektit. Në këtë takim morën pjesë përfaqësues të institucioneve partnere nga vende të ndryshme të Evropës, ndërsa Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan u përfaqësua nga Prof. Dr.  Xhevdet Thaçi, Dekan i Fakultetit të Shkencave të Aplikuara dhe koordinator i WP6 në nivel projekti së bashku me ekipin e tgij punues.

Gjatë takimit, pjesëmarrësit u përqendruan në finalizimin e listës së koordinatorëve për WP6, miratimin e planit të komunikimit dhe shpërndarjes së projektit, me theks të veçantë në rritjen e dukshmërisë, angazhimin e komuniteteve dhe qëndrueshmërinë e përfshirjes, shqyrtimin e propozimeve për logon zyrtare të projektit, po ashtu pati diskutime mbi shabllonet standarde për dokumente dhe prezantime që do të përdoren gjatë gjithë projektit, u diskutua për vendosjen e kanaleve të rregullta të komunikimit ndërmjet partnerëve të WP6, si dhe u shqyrtuan çështjet të tjera të rëndësishme për koordinimin e punëve të vazhdueshme.

Në fjalën e tij, Prof. Dr. Xhevdet Thaçi, duke folur si drejtues i WP6, theksoi rëndësinë që çdo veprim komunikues të jetë i menduar mirë dhe të ketë efekt të matshëm në publikun përfitues, veçanërisht në komunitetet arsimore, shkencore dhe ato të politikëbërjes. Ai theksoi gjithashtu nevojën për një bashkëpunim të ngushtë ndërmjet partnerëve për të siguruar një komunikim të qartë dhe koherent përgjatë gjithë zbatimit të projektit. Ai vuri në pah edhe përvojën e suksesshme të Universitetit Publik “Kadri Zeka” në fushën e promovimit të STEM, duke ofruar kontribut të rëndësishëm në ndërlidhjen e arsimit të lartë me kërkesat reale të tregut të punës.

Përfaqësuesit e STEM EUROPE u pajtuan që të gjitha materialet e paraqitura (plani i komunikimit, propozimet për logon dhe shabllonet për dokumente) të shqyrtohen nga partnerët dhe që komentet finale të dorëzohen deri në takimin e ardhshëm për të finalizuar vendimet përfundimtare.