UKZ mbajti takimin fillestar të projektit të ri për programin e përbashkët të Masterit me Universitetin “La Sapienza” të Romës

3 Qershor, 2025

Në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan u mbajt takimi fillestar (Kick-off) për projektin e ri të financuar ndërkombëtarisht, që ka për synim krijimin e një programi të përbashkët të studimeve Master me Universitetin prestigjioz “La Sapienza” të Romës, Itali.

Takimi shënoi hapin e parë zyrtar në realizimin e këtij projekti, që është një nga arritjet e rëndësishme të UKZ-së në kuadër të ndërkombëtarizimit dhe avancimit të cilësisë së arsimit të lartë.

Në takim morën pjesë Rektori Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, Prorektorët, Dekanët e Njësive Akademike, përfaqësues të institucionit donator Nehat Dervishi, koordinator në projektin SHER që mbështet financiarisht projektin, si dhe Prof. Dr. Fiorenza Deriu nga Universiteti “La Sapienza”, Romë – partner kryesor i këtij projekti.

Rektori i UKZ-së, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, vlerësoi lartë rëndësinë e këtij bashkëpunimi, duke theksuar se ai do të sjellë përfitime të shumëfishta për studentët dhe stafin akademik, si dhe do të ndikojë pozitivisht në ngritjen e kapaciteteve institucionale.

Ndërkaq, Prof. Dr. Fiorenza Deriu theksoi gatishmërinë dhe përkushtimin e Universitetit “La Sapienza” për të ndërtuar një program të qëndrueshëm dhe cilësor Masteri në partneritet me UKZ-në. Ajo shprehu besimin se ky projekt do të krijojë ura të reja bashkëpunimi akademik dhe do të kontribuojë në rritjen e konkurrueshmërisë së studentëve në tregun ndërkombëtar.

Nehat Dervishi, në fjalën e tij, theksoi rëndësinë strategjike të projektit për zhvillimin e mëtejshëm të arsimit të lartë në Kosovë dhe u shpreh i kënaqur me angazhimin serioz të UKZ-së në këtë iniciativë. Ai vlerësoi bashkëpunimin me Universitetin “La Sapienza” si një mundësi të shkëlqyer për ndarjen e përvojave dhe praktikave më të mira evropiane.

Gjatë takimit u diskutuan hapat e ardhshëm drejt dizajnimit të programit të përbashkët të studimeve, planifikimit të mobiliteteve, harmonizimit të kurrikulave dhe standardeve të përbashkëta akademike, si dhe procedurat për njohjen reciproke të diplomave.

Ky projekt paraqet një tjetër dëshmi të angazhimit të UKZ-së për të ofruar mundësi të reja akademike për studentët dhe për të forcuar lidhjet ndërkombëtare me institucione të arsimit të lartë nga vendet e Bashkimit Evropian.