Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan është bërë qendër e inovacionit dhe ndërmarrësisë këtë javë, duke organizuar dy trajnime paralele për stafin dhe studentët universitar,në kuadër të projektit GreenWB. Këto trajnime, të cilat zhvillohen nga 18-21 Shkurt 2025, synojnë të fuqizojnë kapacitetet e stafit dhe të studentëve me njohuri të reja mbi inovacionin në mësimdhënie, ndërmarrësin dhe qëndrueshmërinë në biznes, që do të mbahen nga ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë.
Në trajnimin me temën “Inovacioni në mësimdhënie dhe sipërmarrja në arsimin e lartë, pjesë e së cilit është trajnimi për stafin akademik, ka për qëllim integrimin e inovacionit dhe sipërmarrjes në arsimin e lartë. Gjatë hapjes së trajnimit, Prorektori për bashkëpunim ndërkombëtar dhe projekte në UKZ, Prof. Dr. Dukagjin Leka, theksoi rëndësinë e modernizimit të metodave të mësimdhënies për të krijuar një sistem arsimor që i përgjigjet sfidave të tregut global.
“Ky trajnim është një hap i rëndësishëm për fuqizimin e stafit akademik, duke i ndihmuar ata të zhvillojnë metoda të reja pedagogjike dhe të nxisin mendësinë ndërmarrëse tek studentët. Integrimi i inovacionit të gjelbër dhe mësimdhënies inovative është i domosdoshëm për një edukim më cilësor dhe të qëndrueshëm,” tha Prorektori Leka.
Trajnimi, i organizuar nga FH JOANNEUM me mbështetjen e Universitetit Shën Kirili dhe Metodiu në Shkup dhe Universitetit të Wasa, ka mbledhur ekspertë ndërkombëtarë si Bojan Jovanovski dhe Anna Aleksanyan nga FH JOANNEUM, Trajche Velovski nga Universiteti Shën Kirili dhe Metodiu, si dhe Ahm Shamsuzzoha nga Universiteti i Wasa. Ata po ndajnë njohuri mbi menaxhimin e inovacionit, zhvillimin e biznesit, mësimdhënien inovative dhe marketingun digjital.
Dita e parë e trajnimit u fokusua në kreativitetin dhe inovacionin e gjelbër, ndërsa gjatë dy ditëve të ardhshme do të ketë diskutime mbi mësimdhënien inovative dhe metodat e diferencuara për të krijuar modele progresive të mësimdhënies, e po ashtu trajnimi do të jetë i përqendruar në marketingun digjital, biznesin social dhe integrimin e inovacionit të gjelbër në klasat universitare.
Ndërsa gjatë trajnimit për studentët me temën, “Sipërmarrësit e rinj dhe modelet e biznesit të qëndrueshëm”, është në fokus zhvillimi i aftësive ndërmarrëse dhe krijimi i modeleve të biznesit të qëndrueshëm. Në hapje, Prorektori Leka i inkurajoi studentët të shfrytëzojnë këtë mundësi për të zhvilluar ide inovative dhe për të ndërtuar biznese të reja.
“Në epokën e transformimit teknologjik dhe ekologjik, të rinjtë janë forca lëvizëse e ndryshimit. Përmes këtij trajnimi, do të fitoni njohuri dhe aftësi për të krijuar ide inovative dhe për të zhvilluar biznese të qëndrueshme,” tha ai.
Studentët patën mundësinë të angazhohen në sesionin interaktiv të “Speed Networking” për të krijuar ekipe dhe për të punuar në ide biznesi. Ligjëruesit e parë, Drin Ademi dhe Drenusha Ademi, themelues të Mycelium Pharm dhe studentë të UKZ-së, ndanë përvojat e tyre mbi sfidat dhe sukseset në sipërmarrje.
Në ditët në vijim, studentët do të mësojnë nga ekspertë të fushës, si: Ridvan Aliu, CEO i Future Minds Academy, i cili përmes një prezantimi nga SHBA do të flasë mbi ndërmarrësinë dhe startup-et, duke ndarë përvojën e tij mbi ndërtimin e një biznesi të suksesshëm nga zeroja. Berat Mustafa, CEO i FLOIL Company, do të prezantojë modelin e një biznesi të qëndrueshëm dhe rëndësinë e ekonomisë rrethore. Florian Kurteshi, CEO i Hello Academy of Education, do të flasë mbi mësimdhënien inovative dhe rolin e teknologjisë në edukim. Prof. Ass. Dr. Lulzim Rashiti, prodekan i Fakultetit Ekonomik në UKZ, do të prezantojë strategji mbi marketingun digjital dhe përdorimin e rrjeteve sociale në biznes. Erleta Baliqi, studente e programit master në UKZ, do të trajtojë temën “Inteligjenca Artificiale në Edukim” dhe ndikimin e saj në personalizimin e mësimdhënies.
Ky cikël trajnimesh po u ofron pjesëmarrësve, si stafit akademik ashtu edhe studentëve, mundësinë për të zhvilluar aftësi të reja, për të ndërtuar strategji të reja mësimdhënieje dhe për t’u përgatitur për tregun e punës. Pjesëmarrësit po ndajnë përvoja dhe po diskutojnë qasje të reja mbi edukimin, sipërmarrjen dhe qëndrueshmërinë në biznes, duke u bërë pjesë e një rrjeti të fuqishëm akademik dhe profesional.
Në përfundim të këtyre trajnimeve, stafi akademik dhe studentët e UKZ-së do të jenë më të përgatitur për të aplikuar njohuritë e fituara në mësimdhënie, sipërmarrje dhe zhvillim të qëndrueshëm, duke kontribuar në krijimin e një të ardhmeje më inovative dhe të orientuar drejt zhvillimit të gjelbër.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan