UKZ ka prezantuar rezultatet e hulumtimit “Identifikimi i fëmijëve me nevoja të veçanta në anamoravë”

11 Janar, 2018

Në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan është mbajtur prezantimi i rezultateve të hulumtimit  me temën, “Identifikimi i fëmijëve me nevoja të veçanta në anamoravë”, organizuar nga Fakulteti i Edukimit i UKZ-së. Në këtë organizim përpos Rektorit dhe stafit të UKZ-së,  ka marrë pjesë edhe zëvendësministri i Arsimit, Shkencës e Teknologjisë Heset Sahiti, drejtor  të drejtorive të arsimit në komunat e Anamoravës, drejtor të shkollave fillore dhe të mesme të kësaj ane, si dhe studentë të UKZ-së.

Para prezantimit të studimit Rektori Bajram Kosumi në fjalën e tij ka përgëzuar studentët dhe profesorin e Fakultetit të Edukimit për punën e bërë. Ai ka thënë se nga ky hulumtim përpos Universitetit përfiton Komuna dhe shoqëria në përgjithësi. Sipas tij, këto hulumtime mund të përdoren edhe për nevojat e tregut të punës. Rektori Kosumi ka inkurajuar studentët dhe profesorët që të vazhdojnë të punojnë në këto hulumtime të cilat janë të nevojshme edhe për përgatitjen e tyre profesionale.

Nga ana e tij zëvendësministri i Arsimit, Heset Sahiti, në emër të Ministrit Shyqyri Bytyqi  ka përshëndetur punën e grupit punues, deri sa ka thënë se politikat e MASHT-it janë të orientuara në arsimin gjithëpërfshirës .

Ai tha se arsimi gjithëpërfshirës dhe cilësor është një prioritet i lartë i Qeverisë së Republikës së Kosovës, sepse një sistem arsimor i avancuar, gjithëpërfshirës dhe cilësor është një objektivë parësore e Kosovës për të ndërtuar standardet e një shoqërie demokratike, e cila investon në të ardhmen e saj.

Kurse Profesori i Fakultetit të Edukimit në UKZ Mensur Neziri, ka prezantuar punën e hulumtimit, “Identifikimi i fëmijëve me nevoja të veçanta në anamoravë”.

Sipas tij ky hulumtim është kryer në komunën e Gjilanit, Kamenicës, Vitisë dhe Ferizajit, ku janë marrë të dhënat për  30.9 % e mësimdhënës nga klasa I – V.
Në pyetjen e hulumtimit për  mësimdhënësit se a janë të gatshëm të hartojnë plan individual i cili është i mbështetur në nevojat e nxënësve, 42% prej tyre janë deklaruar se PO, ndërsa rreth 21% nuk janë të gatshëm të bëjnë një gjë të tillë.

Në pyetjen se, në klasën tuaj a keni ndonjë nxënës që kërkon trajtim apo kujdes të veçantë? 54% e mësimdhënësve janë deklaruar se PO kanë nxënës që kërkon një kujdes apo trajtim të veçantë.

Kurse numri i nxënësve që kërkon trajtim apo kujdes të veçantë në klasë janë 1 deri 3 nxënës. Nëse marrim një mesatare nga mostra e përzgjedhur, numri i nxënësve me nevoja të veçanta në ciklin fillor, klasa I – V në Anamoravë është rreth 54% nxënës.

Sipas profesorit Neziri, natyra e vështirësisë më e theksuar është në vështirësitë specifike në të nxënë, pastaj vështirësitë në të folur, në të pamur, dhe nxënësit me inteligjenca të shumëfishta.

Nga rezultatet e studimit shihet se shumica e nxënësve me nevoja të veçanta, rreth 66% nuk posedojnë  mjete që u mundësojnë edukim dhe  arsimim të suksesshëm

Nga rezultatet e studimit, profesori Mensur Neziri tha se,  mund të konstatojmë se rreth 52% e mësimdhënësve nuk kanë ndjekur trajnime për punë me këta nxënës, ndërsa vetëm 21% prej tyre kanë ndjekur trajnime për punë me FNV dhe pjesa tjetër 27% pjesërisht janë të trajnuar për punë me këta nxënës.

Sipas vlerësimeve të mësimdhënësve, nevoja më e theksuar për trajnime është në fushën e vështirësive specifike, çrregullimeve emocionale dhe në sjellje, pastaj puna me nxënësit e talentuar etj

Po ashtu grupi punues i hulumtimit ka prezantuar të gjeturat e tij, ku rreth 42% e mësimdhënësve janë të gatshëm të hetojnë PIA, 54% e mësimdhënësve kanë nxënës me NV në klasat e tyre, sipas rezultateve 98% e mësimdhënësve shprehen se numri i nxënësve me nevoja të veçanta në klasë është 1 – 3 nxënës, vështirësitë specifike në të nxënë, çrregullimet emocionale dhe në sjellje janë ngecjet më të shpeshta të vështirësive gjatë procesit mësimor, rreth 66% e nxënësve nuk posedojnë mjete që i mundësojnë arsimim dhe edukim të suksesshëm, vetëm 21% e mësimdhënësve kanë ndjekur trajnime për punë me këta fëmijë NV, nevojat më të theksuara për trajnime janë në fushën e vështirësive specifike, çrregullimeve emocionale, dhe puna me nxënësit e talentuar.

Nga hulumtimi “Identifikimi i fëmijëve me nevoja të veçanta në anamoravë”, janë nxjerr edhe rekomandimet:

Për MASHT & DKA:

Krijimin e politikave strategjike për intergrim dhe inkluzion të nxënësve me NV në klasat e rregullta;

Sipas mundësisë buxhetore të siguroj mjete për arsimim të nxënësve me NV;

Të siguroj mësimdhënës mbështetës që do të punojnë me nxënës me NV në klasat e rregullta.

Për UKZ:

Të hartoj  programeve trajnuese për punë me fëmijë me nevoja të veçanta;

Të zhvilloj programe të veçanta studimi për punë me fëmijët me nevoja të veçanta;

Themelimi i institutit që hulumton nevojat e tregut të punës.

Pas përfundimit të studimit, nga pjesëmarrësit pati interesime të ndryshme e sidomos rreth temës,“Identifikimi i fëmijëve me nevoja të veçanta në anamoravë”.