Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, është i pari nga Universitetet në Kosovë që ka filluar punën për hartimin e Planit të Integritetit.
Në pajtim me nenin 25 të Ligjit nr.08/l-017 për Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit dhe në përputhje me “Metodologjinë e Planeve të Integritetit” të cilat obligojnë të gjitha institucionet të hartojnë dhe miratojnë planet e integritetit, UKZ do të hartojë Planin e Integritetit për periudhën 2024 -2026.
Plani i integritetit është një dokument i brendshëm tre vjeçar dhe përditësohet çdo vit. Është një proces i dokumentuar për të vlerësuar nivelin e cenueshmërisë së integritetit brenda Institucionit, i cili ofron masa për të arritur objektivat e menaxhimit të institucionit.
Plani rithekson përkushtimin e institucionit për të shtuar dhe fuqizuar kontrollet ekzistuese operative në të gjitha aktivitetet brenda fushëveprimit të Universitetit.
Plani përshkruan masat e bazuara në rrezik për arritjen e objektivave dhe forcimin e sundimit të ligjit, si dhe vlerat dhe standardet profesionale.
Për të hartuar planin e integritetit Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, ka caktuar Luljetë Berisha, zyrtare përgjegjëse për menaxhimin e përgatitjes dhe zbatimin e Planit të Integritetit, po ashtu është formuar edhe grupi punues për përpilimin e planit në përbërje të personave përfaqësues të të gjitha njësive administrative dhe akademike, koordinatore e së cilës është Kosovare Shabani.
Për hartimin e planit në fjalë është mbajtur punëtori me ekspertin Bekim Baliqi e organizuar nga Lëvizja FOL.
Gjatë punëtorisë janë dhënë informata të përgjithshme se çka është Plani i Integritetit, çfarë qëllimi ka dhe çka përmban. Janë diskutuar vlerësimet e nevojave dhe identifikimi i rreziqeve në institucion, përcaktimi i masave, zbatimi i afateve për zhvillim, identifikimi i sfidave dhe mundësive në miratim, monitorimi, mbikëqyrja dhe rishikimi, si dhe diskutim mbi praktikat aktuale të finalizimit të agjendës së veprimit për planin e integritetit institucional.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan