Në kuadër të vizitës zyrtare në Bullgari, një delegacion nga Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, i përbërë nga Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Prof. Dr. Dukagjin Leka, Dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale, Prof. Asoc. Dr. Selim Daku dhe Prodekani i Fakultetit Ekonomik, Prof. Ass. Dr. Lulzim Rashiti, ka zhvilluar takime të rëndësishme me përfaqësues të universiteteve bullgare me qëllim të forcimit të bashkëpunimit akademik dhe shkencor.
Gjatë kësaj vizite, Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Prof. Dr. Dukagjin Leka, në emër të Rektorit të UKZ-së, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, ka nënshkruar marrëveshjn e re bashkëpunimi me Rektorin e Burgas Free University, Prof. Dr. Milen Baltov.
Marrëveshja parasheh mundësi të gjera bashkëpunimi në fushat e arsimit dhe kërkimit shkencor, përfshirë, zhvillimin e programeve të përbashkëta studimore në nivelet bachelor, master dhe doktoratë, shkëmbimin e stafit akademik dhe të studentëve, realizimin e projekteve të përbashkëta shkencore, pjesëmarrjen në programe ndërkombëtare si Erasmus+, IPA dhe Horizon Europe, si dhe shkëmbime në kuadër të programit ICM dhe iniciativa të tjera akademike.
Në këtë takim morën pjesë edhe përfaqësues nga Burgas Free University si, Prof. Gergana Kirova, udhëheqëse e Departamentit për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Prof. Dr. Lina Anastasova.
Gjithashtu, delegacioni i UKZ-së zhvilloi një takim të veçantë me Prof. Vanya Toneva, udhëheqëse e Departamentit për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte në Universitetin Shtetëror të Burgasit “Prof. Dr. Asen Zlatarov”, ku u diskutuan mundësitë për bashkëpunim në projekte ndërkombëtare, shkëmbime akademike në kuadër të ICM, si dhe iniciativa të tjera të përbashkëta. Bashkëpunimi me këtë universitet pritet të formalizohet në fillim të vitit të ri akademik, pas përfundimit të procesit zgjedhor të brendshëm në këtë Universitet.
Këto takime vijojnë pas një sërë vizitash të realizuara ditë më parë në Universitetin Teknik të Sofjes dhe në Universitetin e Ekonomisë Kombëtare dhe Botërore (UNWE) në Sofje, ku u diskutua për vazhdimin e bashkëpunimeve ekzistuese, përfshirë projektin QUADIC, programin Erasmus+, si dhe mundësinë e pjesëmarrjes së përbashkët në projekte si Horizon Europe.
Universiteti Publik “Kadri Zeka” vazhdon përkushtimin e tij për ruajtjen dhe zgjerimim e bashkëpunimeve ndërkombëtare, duke ndërtuar partneritete serioze dhe afatgjata në shërbim të zhvillimit akademik dhe shkencor, me qëllim të krijimit të mundësitlve të reja për studentët dhe stafin e saj akademik dhe administrativ.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan