UKZ fiton pesë projekte të reja Erasmus+ CBHE njëra me rolin e koordinatorit

17 Korrik, 2025

Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan vazhdon të dëshmojë progres të qëndrueshëm në arenën ndërkombëtare të arsimit të lartë. Në kuadër të programit Erasmus+, komponenta Capacity Building in Higher Education (CBHE), UKZ ka arritur të fitojë pesë projekte të reja ndërkombëtare, ndërsa në njërin prej tyre do të ketë rolin udhëheqës si koordinator.

Lajmin e ka bërë të ditur Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte, Prof. Dr. Dukagjin Leka. Ai pasi ka falënderuar rektorin Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku për mbështetjen e vazhdueshme, ka theksuar se ky është një sukses i rëndësishëm dhe një arritje që dëshmon përkushtimin dhe seriozitetin e institucionit në zhvillimin akademik dhe ndërkombëtarizimin e tij.

“Po e ndaj këtë informacion për të treguar suksesin e radhës për UKZ dhe në të njëjtën kohë për të falënderuar Rektorin, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, për mbështetjen e vazhdueshme që më ka dhënë gjatë gjithë këtij procesi. Po ashtu, falënderoj të gjithë kolegët në UKZ që kanë kontribuar në realizimin dhe arritjen e këtyre rezultateve. Kjo tregon se puna vlerësohet dhe këtë më së miri e ka dëshmuar Komisioni Evropian, duke aprovuar projektet tona,” është shprehur Prorektori Leka.

Këto projekte përfshijnë fusha të ndryshme që kanë për qëllim fuqizimin e kapaciteteve të arsimit të lartë përmes bashkëpunimit ndërkombëtar, zhvillimit të kurrikulave, modernizimit të mësimdhënies, rritjes së cilësisë akademike dhe përfshirjes së teknologjisë në arsimin universitar.

Ajo që e bën këtë sukses edhe më të veçantë është fakti se UKZ është përfshirë në partneritete me universitete nga Shqipëria, vende të Bashkimit Evropian, por edhe nga kontinenti afrikan, duke dëshmuar hapjen e universitetit drejt një spektri të gjerë të bashkëpunimeve ndërkombëtare.

Këto projekte nuk janë të lehta për t’u fituar, pasi përzgjidhen nga një konkurrencë e madhe në nivel evropian dhe global. Çdo aplikim kërkon partneritete të konsoliduara, planifikim të detajuar dhe përmbajtje cilësore që adreson nevojat aktuale të arsimit të lartë.

“Projektet e tilla janë rezultat i një pune intensive dhe bashkëpunimi të ngushtë me partnerë strategjikë nga rajoni dhe më gjerë. Pa këto partneritete, sukseset e tilla nuk do të ishin të mundshme. Jemi të lumtur që kemi ndërtuar rrjete të qëndrueshme bashkëpunimi që po japin rezultate konkrete,” ka shtuar ndër të tjerash Prorektori Prof. Dr Dukagjin Leka.

UKZ ka aplikuar edhe me projekte të tjera në thirrjet e hapura gjatë muajve shkurt dhe mars 2025 dhe aktualisht është në pritje të rezultateve përfundimtare nga Komisioni Evropian. Me këtë ritëm suksesi, pritet që numri i projekteve të aprovuara të rritet edhe më tej.