UKZ dhe Veliko Tarnovo University diskutojnë mundësitë e bashkëpunimit

27 Shkurt, 2025

Gjatë vizitës zyrtare në Bullgari, delegacioni i Universitetit Publik “Kadri Zeka” ka  realizuar takime me autoritete akademike në Veliko Tarnovo University. Delegacion i përbërë nga Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte, Prof. Dr. Dukagjin Leka, Dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale, Prof. Asoc. Dr. Selim Daku, dhe Prodekani i Fakultetit Ekonomik, Prof. Ass. Dr. Lulzim Rashiti,  u pritën në takim nga Prorektorja për Marrëdhënie Ndërkombëtare e Veliko Tarnovo University, Prof. Asoc. Dr. Anna Ivanova.

Palët gjatë takimit diskutuan mundësitë për formalizimin e bashkëpunimit mes dy universiteteve, me theks në realizimin e projekteve të përbashkëta, në kuadër të programit Erasmus+ dhe mundësive të tjera për financim ndërkombëtar. U shqyrtuan gjithashtu mundësitë për zhvillimin e programeve të përbashkëta studimi, mentorimin e përbashkët të doktoraturave (“joint mentorship”), si dhe zgjerimin e mobilitetit për staf dhe studentë.

Ky angazhim thekson përkushtimin e Universitetit Publik “Kadri Zeka” për krijimin e partneriteteve të qëndrueshme ndërkombëtare dhe për të ofruar mundësi të reja për zhvillimin akademik dhe shkencor.