UKZ dhe Programi SHER kanë organizuar takim konsultativ për ndryshimet në Statut

22 Maj, 2025

Në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan u mbajt një takim konsultativ me temën “Shqyrtimi i jashtëm i Statutit me rekomandime të propozuara”, me qëllim modernizimin e dokumentit themelor të Universitetit, Statutin. Ky takim u organizua në bashkëpunim me Programin SHER (Sustainable Higher Education and Research in Kosovo), të financuar nga Qeveria Austriake, i cili synon përkrahjen e reformave institucionale në arsimin e lartë në Kosovë.

Takimin e hapi Rektori i Universitetit, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, i cili theksoi rëndësinë e përfshirjes së gjerë dhe të hapur në këtë proces reformues. “Statuti është dokumenti që përcakton identitetin dhe funksionimin e Universitetit tonë. Është thelbësore që ai të jetë në përputhje me standardet bashkëkohore dhe të përfaqësojë më së miri misionin tonë akademik,” tha Rektori Dërmaku.

Përfaqësuesi i projektit SHER, Nehat Dervishi, vlerësoi angazhimin e Universitetit në këtë nismë duke thënë se është inkurajuese të shohim një institucion që jo vetëm identifikon nevojën për ndryshim, por edhe ndërmerr hapa konkretë drejt përmirësimit, andaj sipas tij ky proces është dëshmi e vullnetit për të ndërtuar një sistem arsimor të qëndrueshëm dhe të përparuar.

Pjesë kryesore e takimit ishte prezantimi i ekspertes ndërkombëtare nga Programi SHER,  Kristiina Tõnnisson, e cila ofroi një analizë të thelluar të Statutit aktual dhe solli rekomandime konkrete për përmirësimin e tij. Ajo tha se ky dokument duhet të reflektojë jo vetëm rregulloret e brendshme, por edhe në një vizion strategjik për të ardhmen e universitetit. Është e rëndësishme të kemi një strukturë që mbështet inovacionin, transparencën dhe autonominë akademike, ka thënë ndër tjerash ekspertja ndërkombëtare nga SHER.

Pas prezantimit, u zhvillua një diskutim i hapur me pjesëmarrjen e Prorektorëve, Sekretarit të Përgjithshëm dhe Dekanëve të UKZ-së. Diskutimi nxori në pah nevojat dhe idetë që do të ndihmojnë në ndërtimin e një Statuti më funksional dhe gjithëpërfshirës.

Në përmbyllje të takimit Rektori Prof. Asoc. Dr. Dërmaku  tha se ky është vetëm fillimi i një procesi të thelluar reformimi që do ta çojë Universitetin tonë drejt standardeve evropiane. Kurse Nehat Dervishi, tha se reformat e tilla janë themeli i një të ardhmeje më të mirë për arsimin e lartë në Kosovë.