Prorektor për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte i Universitetit Publik “Kadri Zeka”, Prof. Dr. Dukagjin Leka, së bashku me Prof. Ass. Dr. Shejnaze Gagica, zhvilluan një takim të rëndësishëm me drejtorët e shkollave fillore në Komunën e Gjilanit, ku njoftuan ata për një projekt të ri ndërkombëtar që ka për qëllim të hulumtojë ndikimin e migrimit në arsimin shkollor. Ky projekt, i financuar nga Qeveria Zvicerane dhe Kantoni Zug, do të implementohet në bashkëpunim mes UKZ-së dhe universitetit PH Zug të Zvicrës.
Në këtë takim, Prof. Dr. Leka dhe Prof. Ass. Dr. Gagica diskutuan detajet e projektit, i cili fokusohet në ndikimin që ka migrimi në procesin e mësimit në shkolla, veçanërisht në aspekte të tilla si diversiteti social dhe pabarazia sociale që mund të ndodhë si pasojë e këtij fenomeni. Ky është një shqetësim i theksuar edhe në shkollat zvicerane, dhe do të jetë temë e një punimi shkencor që do të bashkë-krijohet nga autorë nga Universiteti Publik “Kadri Zeka” dhe PH Zug.
Pjesë e këtij projekti janë dhe përpjekjet për të kuptuar më mirë ndikimin e migrimit në edukimin shkollor përmes vizitave dhe shkëmbimit të eksperiencave. Në këtë kuadër, UKZ do të dërgojë pesë mësues nga shkollat e Komunës së Gjilanit në Zug të Zvicrës për të parë nga afër procesin e mësimit dhe sfidat me të cilat përballen shkollat zvicerane. Mësuesit që do të përfaqësojnë shkollat e Gjilanit janë, “Selami Hallaqi”, “Thimi Mitko”, “Musa Zajmi” dhe “Rexhep Elmazi”.
Po ashtu, një delegacion nga Zvicra, përfshirë mësues, do të vizitojë në muajin Nëntor këtë vit Universitetin Publik “Kadri Zeka” dhe shkollat e Komunës së Gjilanit për të parë më nga afër funksionimin e shkollave dhe ndikimin e migrimit në rënien e numrit të nxënësve dhe sfidat që hasin shkollat në pranimin e refugjatëve.
Prorektor për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte Prof. Dr. Dukagjin Leka dhe Prof. Ass. Dr. Shejnaze Gagica falënderuan partnerët e tyre nga Zvicra, PH Zug, si dhe bashkëpunëtorët e tyre për angazhimin në këtë projekt, duke e vlerësuar gjithashtu mbështetjen e Rektorit të UKZ, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, për përkrahjen në realizimin e projekteve të tilla të rëndësishme.
Ky projekt është një tjetër dëshmi e angazhimit të UKZ-së në promovimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe kontribuimin e tij në shoqëri. Ai gjithashtu dëshmon rëndësinë e lidhjeve të ngushta mes shkollave dhe universitetit, veçanërisht pasi shumë studentë të Fakultetit të Edukimit të UKZ kalojnë praktikat e tyre profesionale në shkollat e Komunës së Gjilanit.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan