Rektori i Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan, Bajram Kosumi me bashkëpunëtor, kanë qëndruar në Komunën e Kamenicës, ku janë pritur nga Kryetari Qëndron Kastrati dhe Nënkryetari i Komunës së Kamenicës, Faton Jakupi. Rektori Kosumi fillimisht e ka uruar kryetarin Kastrati për marrjen e detyrës së re si kryetar komune, derisa e ka njoftuar rreth zhvillimit dhe funksionimit të Universitetit. Rektori ka thënë se Universiteti i Gjilanit ”Kadri Zeka” do të krijojë kuadro të përgatitur për tregun e punës respektivisht kuadro për arsim, ekonomi, administrate si dhe fushat e tjera përmes te cilave Kosova por edhe rajoni do të rrisë aftësitë konkurruese në nivelin arsimor dhe aspektet e tjera.
Kurse Kryetari i Komunës së Kamenicës Qëndron Kastrati, e ka falënderuar rektorin Bajram Kosumi për urimin dhe njëherësh e ka siguruar se Universiteti i Gjilanit “Kadri Zeka” do të ketë mbështetjen e Komunës së Kamenicës.
Me këtë rast Rektori i Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan, Bajram Kosumi dhe Kryetari i Komunës së Kamenicës Qëndron Kastrati, kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për nxitjen e shkëmbimit të shumanshëm në funksion të zhvillimit institucional.
Të dyja këto institucione do të kenë qëllim të përbashkët- përkrahjen e studentëve gjatë studimeve dhe identifikimin e iniciativave për promovimin dhe mbështetjen profesionale në zhvillimin e gjithëmbarshëm socio-ekonomik të rajonit ekonomik të dy institucioneve.
Rekomandimet dhe ekspertiza profesionale janë të nevojshme veçmas në: idetë, projektet lokale dhe ndërkombëtare, pilot -projektet dhe programet e caktuara që kanë segmente të rëndësishme të angazhimit me këtë marrëveshje.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan