Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan dhe Kolegji AAB në Prishtinë, kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi, me qëllim të forcimit të lidhjeve akademike dhe zhvillimit të projekteve të përbashkëta në të mirë të studentëve dhe stafit të të dy institucioneve.
Rektori i UKZ-së Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku dhe Prof. Ass. Dr. Venera Llunji, Prorektore për Bashkëpunim të Jashtëm në Kolegjin AAB, potencuan rëndësinë e bashkëpunimeve ndërinstitucionale, duke thënë se kjo marrëveshje shënon një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një bashkëpunimi afatgjatë dhe të qëndrueshëm, që do të kontribuojë në rritjen e cilësisë akademike, ndërkombëtarizimin dhe zhvillimin profesional të stafit dhe studentëve në të dy institucionet.
Të vetëdijshëm për rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe përfitimet reciproke që rrjedhin nga të tilla partneritete, palët janë pajtuar të punojnë së bashku në disa fusha me interes të përbashkët.
Objektivat kryesore të marrëveshjes përfshijnë zhvillimin dhe zbatimin e projekteve të përbashkëta me përfshirjen aktive të studentëve dhe stafit akademik. Organizimin e aktiviteteve akademike dhe shkencore, përfshirë konferenca, seminare, punëtori dhe tryeza të rrumbullakëta. Zhvillimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, përmes zyrave për marrëdhënie ndërkombëtare të të dy institucioneve, si dhe pjesëmarrja në projekte ndërkombëtare si Erasmus+, IPA, Horizon Europe, etj.
Fushat e bashkëpunimit do të përfshijnë projekte kërkimore dhe zhvillimore të përbashkëta, organizimin e ngjarjeve akademike dhe trajnimeve të përbashkëta, nisma për rritjen e kapaciteteve institucionale përmes projekteve ndërkombëtare, si dhe promovimin e publikimeve dhe aktiviteteve të përbashkëta shkencore dhe publike.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan