UKZ DHE AIS NËNSHKRUAJNË MARRËVESHJE BASHKËPUNIMI

28 Qershor, 2021

Universiteti Publik  “Kadri Zeka, Gjilan përfaqësuar nga Rektori, Prof. Dr. Bajram Kosumi dhe Instituti Shqiptar i Sociologjisë (Albanian Institute of Sociology, AIS), i përfaqësuar nga presidenti i tij, Prof. Dr. Lekë Sokoli, kanë nënshkruar marrëveshje për nxitjen e shkëmbimit të shumanshëm në funksion të bashkëpunimit institucional.

Qëllimi i marrëveshjes është përcaktimi i fushave dhe mënyrave të bashkëpunimit të institucioneve të sipërpërmendura, duke përfshirë mbështetje të ndërsjellët për realizimin e misioneve të secilit institucion,  për të nxitur zhvillimin e shkencave sociale e humane, si dhe shkencave të tjera me ndikim në zhvillimin  e shoqërisë, shkëmbimin e përvojave, literaturës shkencore, botimeve akademike, teksteve etj., të realizuara nga anëtarë të stafit akademik të UKZ dhe bashkëpunëtorët shkencorë të AIS.

Po ashtu marrëveshja e nënshkruar nxit mbështetjen dhe realizimin e veprimtarive shkencore (konferenca, seminare, forume, trajnime, promovime botimesh akademike etj., zhvillimin e programeve hulumtuese, projekteve kërkimore-shkencore, si dhe të projekteve të tjera me interes për të dy institucionet.

Palët bien dakord për organizimin e serisë së konferencave vjetore ndërdisiplinore ndërkombëtare, në bashkëpunim me institucione të tjera partnere në Shqipëri, Kosovë e më gjerë. Në veçanti palët bien dakord për organizimin, në nëntor të vitit 2022, në Universitetin “Kadri Zeka” Gjilan, të konferencës ndërkombëtare ndërdisiplinore “Teknologjia dhe ndikimi i saj në modelimin e shoqërisë” [The role of Technology in the Shaping of Society]. Kjo konferencë do të organizohet me standarde akademike ndërkombëtare, me thirrje të hapur e cila publikohet në Web-Faqen e konferencave ndërkombëtare, një vit para mbajtjes së saj.