U mbajt vizita për akreditimin e programit “Mësimdhënie e Gjuhës Angleze” të Fakultetit të Edukimit në UKZ

24 Prill, 2025

Në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, u zhvillua sot vizita për akreditimin e programit të studimeve “Mësimdhënie në Gjuhë Angleze”, MA, nga Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA). Ky program bën pjesë në Fakultetin e Edukimit të këtij universiteti.

Vizita u realizua nga ekipi i ekspertëve të përbërë nga Tanja Gradecak – eksperte, Thomas Wulstan – ekspert (në mënyrë virtuale), Elisa Knief – përfaqësuese e studentëve. Nga ana e Agjencisë së Kosovës për Akreditim, vizita u koordinua nga Milot Hasangjekaj – Udhëheqës i Divizionit të Pas-Akreditimit dhe Betim Sherifi – Zyrtar i Lartë për Monitorim.

Gjatë kësaj vizite u mbajtën takime me menaxhmentin e Fakultetit të Edukimit, përfaqësuesit e sigurimit të cilësisë, stafin administrativ dhe stafin akademik. Takimet u organizuan në disa sesione të ndara, duke ofruar hapësirë për prezantimin e përvojave dhe perspektivave të ndryshme në lidhje me programin “Mësimdhënie në Gjuhë Angleze”.

Gjatë këtij procesi, ekspertët patën mundësinë të njihen nga afër me cilësinë akademike, infrastrukturën universitare si dhe ndikimin konkret të programit në tregun e punës. Takimet u zhvilluan në një frymë bashkëpunuese dhe u karakterizuan nga diskutime të hapura mbi sfidat ekzistuese dhe potencialin për zhvillim të mëtejshëm të programit.

Universiteti Publik “Kadri Zeka” mbetet i përkushtuar ndaj përmirësimit të vazhdueshëm të cilësisë në arsimin e lartë, duke ofruar programe akademike konkurruese, të cilat janë të harmonizuara me kërkesat dhe zhvillimet e tregut të punës.

Përmes proceseve të rregullta të akreditimit, vetëvlerësimit dhe investimit në zhvillim profesional, UKZ synon të avancojë standardet akademike dhe të krijojë mundësi të reja për studentët e vet, duke u fokusuar në përgatitjen e tyre për tregun global dhe nevojat e një shoqërie në ndryshim të vazhdueshëm.