Në kuadër të projektit TAKE – Together Advancing Kosovo’s Training and Employment within the Education Sector, në Fakultetin e Edukimit të Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, u mbajt trajnimi me temë: “Efekti edukativ i shfaqjeve me kukulla”, i ligjëruar nga Prof. Asoc. Dr. Nevrije Ismaili, njëherësh koordinatore e projektit TAKE në UKZ.
Gjatë trajnimit, Prof. Asoc. Dr. Nevrije Ismaili prezantoi përdorimin e shfaqjeve me kukulla si një mjet efektiv pedagogjik në edukimin parashkollor. Ajo theksoi se kukullat nuk janë vetëm lodra argëtuese, por mjete që mund të përdoren për të zhvilluar të folurin, shprehitë sociale dhe emocionale tek fëmijët. “Përmes kukullave, fëmijët shprehin emocionet, kuptojnë ndjenjat e të tjerëve dhe mësojnë mënyra të shëndetshme për të zgjidhur konfliktet. Kukullat ndihmojnë në krijimin e një atmosfere të sigurt, ku fëmijët mund të eksplorojnë botën e tyre përmes lojës dhe imagjinatës,” u shpreh Prof. Asoc. Dr. Nevrije Ismaili.
Trajnimi u fokusua edhe në teknika praktike të organizimit të shfaqjeve me kukulla, si dhe mënyrat se si edukatorët mund të përfshijnë këtë metodë në planifikimin ditor për të nxitur bashkëpunimin, dëgjimin aktiv dhe zhvillimin gjuhësor tek fëmijët.
Ky aktivitet është pjesë e implementimit të projektit TAKE, i cili mbështetet nga Qeveria e Principatës së Lihtenshtajnit dhe zbatohet nga CARITAS-i Zviceran (CACH) në bashkëpunim me Fakultetin e Edukimit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe fakultetet partnere të universiteteve publike në Kosovë.
Projekti synon të rrisë cilësinë e përgatitjes së edukatorëve, veçanërisht në zhvillimin e shkathtësive praktike dhe qasjeve inovative në mësimdhënie.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan