Fakulteti i Edukimit në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, në kuadër të projektit TAKE – Together Advancing Kosovo’s Training and Employment within the Education Sector, ka organizuar trajnimin me temë “Gjithëpërfshirja në edukimin parashkollor”, të ligjëruar nga Prof. Ass. Dr. Fitore Malaj.
Ky trajnim u realizua me përkrahjen e CARITAS-it Zviceran, në bashkëpunim me Fakultetin e Edukimit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, si dhe me Fakultetet e Edukimit të Universiteteve Publike në Kosovë.
Gjatë trajnimit, Prof. Malaj theksoi se gjithëpërfshirja nuk duhet të jetë vetëm një koncept në dokumentet arsimore, por një praktikë konkrete në çdo klasë parashkollore, ku çdo fëmijë ndjehet i mirëpritur, i respektuar dhe i përfshirë në mënyrë aktive.
“Fëmijët janë të ndryshëm në mënyrën si mësojnë, në sfondin kulturor, në aftësitë dhe nevojat që kanë. Edukimi gjithëpërfshirës ka për qëllim të krijojë mjedise mësimore që u përgjigjen këtyre dallimeve përmes adaptimit të metodave dhe materialeve didaktike. Kjo kërkon një qasje të hapur, fleksibile dhe të ndjeshme nga edukatorët,” u shpreh Prof. Ass. Dr, Fitore Malaj gjatë ligjëratës.
Tutje, ajo nënvizoi rolin e edukatorëve si figura kyçe në zhvillimin e një kulture përfshirjeje, duke shtuar se përgatitja e tyre profesionale duhet të përfshijë trajnime të vazhdueshme në këtë fushë. U sollën edhe raste konkrete nga praktika që ilustruan mënyra efektive të përfshirjes së fëmijëve me nevoja të veçanta, fëmijëve të komuniteteve të ndryshme dhe atyre me sfida emocionale apo sociale.
Ky aktivitet është pjesë e projektit TAKE, i cili ka për qëllim rritjen e cilësisë së përgatitjes së edukatorëve para shërbimit, me theks të veçantë në zhvillimin e shkathtësive praktike dhe mentorimit, në bashkëpunim të ngushtë me institucionet parashkollore në vend.
Projekti financohet nga Qeveria e Principatës së Lihtenshtajnit dhe zbatohet nga CARITAS-i Zviceran (CACH) në Kosovë, në bashkëpunim me Fakultetin e Edukimit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe fakultetet tjera partnere të universiteteve publike në Kosovë.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan