U mbajt trajnim “Integrimi i natyrës në edukimin parashkollor” për edukatorë në kuadër të projektit TAKE në UKZ

20 Dhjetor, 2024

Në kuadër të projektit TAKE – Together Advancing Kosovo’s Training and Employment within the Education Sector, në Fakultetin e Edukimit të Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, u mbajt trajnimi me temë: “Integrimi i natyrës në edukimin parashkollor”, i ligjëruar nga Prof. Asoc. Dr. Voglushe Kurteshi.

Trajnimi u përqendrua në mënyrat se si aktivitetet në natyrë mund të përdoren si pjesë e pandashme e procesit edukativ dhe se si ato kontribuojnë në zhvillimin fizik, emocional dhe social të fëmijëve. Prof. Kurteshi theksoi rëndësinë që fëmijët të kenë kontakt të drejtpërdrejtë me ambientin natyror, si një formë mësimi që stimulon kuriozitetin dhe të menduarit kritik. “Natyra nuk është vetëm mjedis argëtimi për fëmijët, por një laborator i gjallë ku ata mësojnë për jetën, bashkëpunimin dhe vetëpërcaktimin,” u shpreh Prof. Asoc. Dr. Voglushe Kurteshi.

Gjatë sesionit u prezantuan ide konkrete për planifikimin e aktiviteteve edukative jashtë klasës, si dhe praktika për të ndihmuar fëmijët të ndërtojnë lidhje të shëndetshme me mjedisin dhe komunitetin rreth tyre.

Trajnimi u zhvillua në kuadër të implementimit të projektit TAKE, i cili mbështetet nga Qeveria e Principatës së Lihtenshtajnit dhe zbatohet nga CARITAS-i Zviceran (CACH) në bashkëpunim me Fakultetin e Edukimit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe fakultetet partnere të universiteteve publike në Kosovë.

Ky projekt ka për qëllim rritjen e cilësisë së përgatitjes së edukatorëve, përmes zhvillimit të aftësive praktike dhe aplikimit të metodave të reja, të bazuara në përvojën konkrete të fëmijëve me botën përreth.