U mbajt sesion informues mbi projektin HERAS

19 Maj, 2017

Rektori i Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan Bajram Kosumi  bashkë më prorektorin për bashkëpunim ndërkombëtar Dukagjin Leka, kanë pritur përfaqësuesit e projektit “HERAS”,  Aqim Emurli,  Arbëresha Meha dhe  Kumrije Gagica.

Rektori Kosumi i njoftoi përfaqësuesit e “HERAS” për zhvillimet dhe të arriturat e UKZ-së, për fakultetet dhe programet të cilat funksionojnë në kuadër të Universitetit, rreth marrëveshjeve dhe bashkëpunimeve Institucionale dhe aktiviteteve të tjera.

Ndërsa  gjatë sesionit informues para stafit akademik e administrative dhe studentëve, zyrtarët e Projektit “Heras”  prezantuan objektivat, rezultatet e pritura, metodologjinë, kriteret e pranueshmërisë, procedurat e përzgjedhjes dhe informacione të tjera të nevojshme që i përkasin thirrjeve të HERAS.

Aqim Emurli tha se beson se projekti “Heras” do të zhvillohet në tri nivele: politikëbërës, universitar dhe nivel individual, ose grupor, dhe theksoi se projekti “Heras” ka  për qëllim të kontribuojë në funksionimin e mirë të Arsimit të Lartë dhe Hulumtimeve në Kosovë në linjë me parimet e Zonës Evropiane të Arsimit të Lartë (EHEA) dhe zonës Evropiane të Hulumtimeve (ERA) me objektivë afatgjatë për të përkrahur zhvillimin socio-ekonomik të vendit.

Projekti “HERAS- Arsimi i Lartë, Hulumtimi  dhe Shkencat e Aplikuara në Kosovë” financohet nga Agjencia Austriake për Zhvillim- ADA, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit të Kosovës.  Projekti do të zgjasë tri vjet dhe do t’i kontribuojë zhvillimit të arsimit të lartë, stimulimit të punës kërkimore- shkencore brenda universiteteve për të ndihmuar zhvillimin socio-ekonomik të vendit.

Gjatë sesionit të pranishmit treguan interesim për aplikim, me ç’rast u parashtruan shumë pyetje që u elaboruan nga panelistët. Gjatë takimit u shpërndanë materiale me udhëzimet dhe format e aplikimit.

23