Më 19 qershor 2025, në ambientet e Fakultetit të Shkencave Sociale të Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, u mbajt trajnimi i radhës për studentët dhe nxënësit maturantë të shkollave të mesme, në kuadër të laboratorit të ri të FSHS-së.
Trajnimi u organizua nga programi “Marrëdhëniet ndërkombëtare dhe studimet evropiane”, derisa e udhëheqi prof. ass. dr. Avni Rudaku dhe Dr. Asdren Toska. Qëllimi i trajnimit ishte zhvillimi i kapaciteteve të pjesëmarrësve në përpunimin e të dhënave hulumtuese, duke u fokusuar në analizat statistikore dhe softuerët përkatës si SPSS, ATLAS.ti, Strata, Excel e OpenRefine.
Pjesëmarrësit patën mundësinë të përfshihen në të gjitha fazat pas grumbullimit të të dhënave, duke filluar nga futja dhe pastrimi i tyre, vizuelizimi dhe analiza statistikore, interpretimi dhe diskutimi, deri te përfundimi dhe dhënia e rekomandimeve përfundimtare.
Trajnimi ofroi njohuri të zgjeruara mbi statistikat deskriptive, testimin e hipotezave, analizat e korrelacionit, t-testin, ANOVA, regresionin linear, Chi-katrorin, Testin e Kruskal-Wallis dhe interpretimin e intervaleve të besueshmërisë.
Ky trajnim përbën fazën e dytë të një cikli trajnimesh të nisura më herët, ku pjesëmarrësit u përgatitën për aspektet themelore të hulumtimit, përpilimin e pyetësorëve dhe intervistave, si dhe për zbatimin praktik të dy hulumtimeve aktuale të FSHS-së:
— “Hulumtimi mbi preferencat e të rinjve për destinacionet turistike në Evropë”;
— “Ndikimi i distancës sociale ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve në procesin e arritjes së marrëveshjes përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.
Përmes këtij angazhimi konkret në hulumtime në terren, Fakulteti i Shkencave Sociale në UKZ po promovon qasjen praktike në arsim, duke forcuar bashkëpunimin me nxënësit e shkollave të mesme dhe duke orientuar brezat e rinj drejt programit të ri të akredituar.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan