Në kuadër të projektit TAKE – Together Advancing Kosovo’s Training and Employment within the Education Sector, në Fakultetin e Edukimit të Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, u mbajt trajnimi me temë: “Edukimi gjithëpërfshirës: Të ndryshëm por të barabartë”, i ligjëruar nga Prof. Ass. Dr. Shqipe Avdiu Kryeziu.
Ky trajnim i dedikohej rritjes së kapaciteteve të edukatorëve dhe studentëve në drejtim të përfshirjes së fëmijëve me nevoja të veçanta në mjediset arsimore parashkollore. Në fokus ishte diskutimi mbi strategjitë efektive për të krijuar një ambient gjithëpërfshirës, i cili i respekton dhe vlerëson dallimet individuale mes fëmijëve. “Të jesh gjithëpërfshirës nuk do të thotë vetëm të pranosh dallimet, por të krijosh kushte reale që çdo fëmijë, pavarësisht aftësive apo sfidave, të ndjehet i barabartë dhe të marrë pjesë aktive në çdo aktivitet,” theksoi Prof. Ass. Dr. Shqipe Avdiu Kryeziu gjatë trajnimit.
Gjatë sesionit u prezantuan edhe shembuj praktik dhe modele pedagogjike që mund të përdoren për të ndihmuar integrimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara, sfida të zhvillimit apo dallime kulturore e gjuhësore, duke promovuar respektin, empatinë dhe bashkëpunimin në klasë.
Trajnimi u realizua në kuadër të projektit TAKE, i cili mbështetet nga Qeveria e Principatës së Lihtenshtajnit dhe zbatohet nga CARITAS-i Zviceran (CACH) në bashkëpunim me Fakultetin e Edukimit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe universitetet publike partnere në Kosovë.
Projekti ka për synim përmirësimin e përgatitjes së edukatorëve të ardhshëm, përmes praktikave të avancuara dhe mentorimit, duke kontribuar në ndërtimin e një sistemi arsimor më gjithëpërfshirës dhe cilësor për të gjithë fëmijët.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan